A është VV komuniste, ndërsa PDK e LDK kapitaliste?

Autori:Avdyl Pajaziti

Është e çuditshme tendenca e ngjitjes së nofkave komunist apo kapitalist liberal deri në ekstrem për krahët tanë politik. Nuk mund të jetë Vetëvendosja parti komuniste nëse kundërshton privatizimin, e as PDK apo LDK parti kapitaliste, apo pararendës të ekonomisë së tregut, vetëm pse deklarohen të djathtë.

Kohët e fundit lexohen komente nga njohës të cekët të ekonomisë se si “Abraham Lincolët” e tyre janë interpretues radikalë të Adam Smithit, me arsyetimin banal se ndërtuan monopole!!!

E përcolla me vëmendje mos po ndodhë ndonjë aktivitet paranormal në Britani të Madhe, të zgjohej babai i ekonomisë nga varri dhe të thoshte aman mos ma përmendni emrin kaq kot.

Një interpretim radikal i Smithit është pikërisht e kundërta e monopolit. Ka të bëjë me intensifikimin e konkurrencës si bindje që ekonomia e lirë e tregut po funksionon. E konkurrenca ndër më të lartat tek në është në shitjen e veturave në autosallone. Një smithian radikal do të hapte nga një autosallon për çdo veturë në shitje!

Por, Smithi është i tejkaluar. Madje, janë bërë demode dhe të parëndësishëm në sistemet globale ekonomike edhe ata që ia rrëzuan teoritë.

Mohikani i fundit i kapitalizmit liberal, Amerika, u rrëzua me 2009. Intervenoi, duke derdhur dhjetëra miliardë dollarë në dy nga tre simbolet kryesore të prodhimit të veturave, General Motors dhe Chrysler. Qëllimi ishte i thjeshtë, të mos i linte të falimentonin. Kishte edhe atëherë akuza se Amerika po bëhej komuniste. Por, i kishte djegur keq falimentimi i Enronit dhe disa gjigantëve tjerë. Liberalizmi vdiq, nuk funksionoi më.

Presidenti Obama e intensifikoi tutje këtë me sigurimin shëndetësor. Akuzat janë të ditura.

Ekonomitë tjera kapitaliste e kanë braktisur liberalizmin kaherë. Sot, Suedia apo Gjermania as që mund të quhen vende kapitaliste. Në ekonominë më të madhe të Evropës, për kompanitë që kanë fitime të mëdha nuk mund të flitet se taksohen, ngase ato grabiten nga shteti, pasi e derdhin pjesën më të madhe në arkat e tij. A është ky treg i lirë?

Padyshim që jo. Ky është sistem i derregullimit, që me termin e përgjithshëm quhet Rend i Ri Botëror. Historianët do ia ngjesin një emër më vonë. Ka rreth 20 vjet që flitet më intensivisht për të. Sot, është intensifikuar edhe më tepër.

Njerëzimi nuk i nënshtrohet më ligjeve të kapitalizmit, por ligjeve të Facebookut dhe të rregullatorëve tjerë. Cili është konkurrenti i tij, që ai të quhet treg i lirë, po i Microsoftit cili?

Sot mbretërojnë këta, pas 5 vjetësh mund të shuhen krejtësisht. Kush do të mendonte para disa vjetësh se Nokia, simboli i njeriut modern, nuk do të ekzistonte as si brend me 2015!?

Mbijetesa, sot bazohet në kuptimin e shijeve ditore. Përshtatu ose vdis!

Por, a po përshtatet ekonomia jonë ndaj këtyre trendeve? Natyrisht se aspak. Për këtë është në vdekje klinike. “Abraham Lincolni” arriti që gjatë shtetbërjes të ketë rritje ekonomike. Ajo ndodhi kryekëput si pasojë e rritjes së shpenzimeve qeveritare. Ato u dyfishuan përnjeherë, duke e mposhtur edhe stagnuesin, rënien kontinuele të investimeve të jashtme.

Sot, deficienca e KESH-it në arkën e shtetit po mbulohet përmes rritjes së huas publike. Ndërsa, deficienca e KESH-it në sektorin privat po mbulohet përmes falimentimit. Rritja është pa themel dhe si përfundim ka zmadhimin e borxhit publik në ekstrem, deri në falimentim të shtetit. Njëjtë si Greqia. Ky vend, me këtë rritje, nuk do arrijë t’i mbulojë për kohë të gjatë ato paga, e as ato shpenzime tjera qeveritare.

Që të mos biem në humnerë, duhet të përshtatemi. Shpejt madje. Drita në fund të tunelit është rasti i hotelit Grand. AKP pa qenë në dijeni filloi pikën e kthesës. Ua la në dorë punëtorëve. Kështu do të duhej të ndodhte qysh në fillim.Fundja, çfarë të drejte kishte AKM që të vendoste për fatin e 92 punëtorëve duke ia lënë në dorë një matrapazi, i cili për disa vjet e qoi Grandin buzë humnerës. Këtë të drejtë e kanë vetëm punëtorët e tij. Grandi, sikurse mbi 500 ndërmarrje tjera ishin pronë shoqërore. Pra, as publike, as shtetërore, por pronë e tyre, e punëtorëve. Askush nuk kishte të drejtë t’i shiste.

Të gjithë punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore duhet të qohen në këmbë, të padisin shtetin për privatizim të pronës së tyre. Ata, që nuk kanë nënshkruar kontrata me privatizuesin, normalisht. Do të fitojnë të gjithë. Ato, sikurse pronat tjera, duhet të shiten veç e veç. Të gjindet metoda më e përshtatshme për secilën.

Pse të mos u jepet Trepça punëtorëve të saj përmes vauçerëve? Minatorët, jo vetëm ndërmarrjen ku punojnë, por edhe Kosovën e duan më tepër se secili prej nesh. Nëse shndërrohet në ndërmarrje shtetërore, ajo vetëm do të falimentojë, duke mbushur xhepat e ndonjë komandanti. Nën udhëheqjen e tyre do të lulëzojë sepse janë tepër të përkushtuar.

Njëjtë mund të ndodhë edhe me ndërmarrje tjera. Të përdoren metoda të ndryshme të transformimit pronësor për secilën, varësisht prej specifikave.

Ndryshime radikale duhet të ketë edhe me sistemin fiskal. Pse Kosova është zonë unike tatimore, kujt i shërben? Duhet të ketë tatime të ndryshme për secilën zonë dhe secilin produkt.

Për disa ka akcizë, por ajo është në funksion të mbushjes së arkës shtetërore, e jo të zhvillimit. Me akcizë të veturave cili produkt po mbrohet, fundja.

Edhe në thithjen e investimeve të jashtme duhet vepruar me urgjencë. Pse të mos u jepen falas në shfrytëzim kompanive të jashtme rezervat e thëngjillit, apo hapësirat turistike. Mund t’ua rrisim tantiemat më vonë, edhe taksat nëse fitojnë si tepër.

Dinamizmi mund të rritet përmes zonave të mirëfillta ekonomike. Jo si ato të Pacollit në Mitrovicë e Gjakovë. Por, përmes subvencionimit, stimulimit, dhënies së ndihmës profesionale dhe gjetjes së tregut, varësisht nga specifikiat e vendit, për secilin produkt, për secilin shërbim.

Këtu hyn edhe mbrojtja e tregut nga produkte të caktuara. Cili vend është zhvilluar pa politika proteksioniste?

Ne duhet t’i mbrojmë patatet tona dhe të mos e lejojmë asnjë kilogram të futet pa u shitur ato deri në kilogramin e fundit, njëjtë të veprojmë edhe me molla, edhe me qumësht.

Në raftet e supermarketeve tona duhet të jenë më te ekspozuarat produktet tona. Kjo duhet bërë me ligj. Shkoni në supermarkete, do t’jua qorrojë sytë Plazma. Konkurrentin e saj kosovar, Sempren, nuk do ta shihni askund.

Ndërmarrja e të gjithë këtyre masave do ta ndalte eksodin drejt Hungarisë. Por, Isa Mustafa, Hashim Thaçi & Co nuk mund ta bëjnë këtë. Jo se nuk duan, por se nuk dinë. (Qendrimet janë personale)

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/opinione/a-eshte-vv-komuniste-ndersa-pdk-e-ldk-kapitaliste/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala