Ombudspersoni: Kryetari i Parteshit po pengon zbatimin e ligjit

Autori:Avdyl Pajaziti

Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës ka publikuar sot Raportin në lidhje me moszbatimin e vendimit të Trupit Ekzekutiv të Inspektoratit të Punës sipas të cilit ishte anuluar vendimi i kryetarit të Komunës së Parteshit që ka të bëjë me ndërprerjen e marrëdhënies së punës.

Avokati i Popullit thekson se vendimi i kryetarit të komunës Parteshit, për shkarkimin e ankuesit nga pozita e asistentit administrativ të Kryesuesit të Kuvendit të Komunës është në kundërshtim me nenin 5 paragrafi 2 të Udhëzimit Administrativ MAPL nr.02/2014 dhe MAP nr.01/2014 për caktimin e stafit mbështetës në komuna ku është paraparë që marrëdhënia e punës së stafit mbështetës/asistentit pushon me përfundimin e mandatit të Kryesuesit të Kuvendit.

Ja raporti i plotë i Avokatit të Popullit:

Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës ka publikuar sot Raportin për rastin nr. 124/2015, në lidhje me moszbatimin e vendimit të Trupit Ekzekutiv të Inspektoratit të Punës nr.09/442, të datës 15 prill 2015, sipas të cilit ishte anuluar vendimi i kryetarit të Komunës së Parteshit nr.54/15, i datës 10 shkurt 2015, që ka të bëjë me ndërprerjen e marrëdhënies së punës.

Ky Raport ka qëllim të vlerësojë pretendimet e ankuesit se i janë shkelur të drejtat e tij sipas nenit 49 paragrafi 1 [E drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, sipas nenit 6, par.1 dhe nenit 13 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore.

Duke pasur parasysh ankesën individuale të ankuesit dhe në faktet dhe provat e palës, si dhe në shkresat e lëndës, të cilat i posedon Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP), vërehet se
ka zvarritje të paarsyeshme për zbatimin e vendimit të Trupës Ekzekutive të Inspektoratit të Punës, gjë që është në kundërshtim me të drejtën e garantuar me nenin 6 dhe me nenin 13 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ).

Avokati i Popullit, vëren se vendimi i organit të shkallës së dytë i Trupës Ekzekutive të Inspektoratit të Punës, i datës 30 maj 2015, ishte i formës së prerë dhe detyrues dhe se deri më sot nuk është zbatuar nga ana e komunës së Parteshit.

Po ashtu, Avokati i Popullit dëshiron të vë në dijeni se të drejtat e ankuesit, janë të garantuara edhe sipas nenit 49 paragrafi 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe vendimi i kryetarit të komunës së Parteshit në këtë rast nuk ka të bëjë me zbatimin e ligjit, por ka të bëjë me pengimin e zbatimit të ligjit.

Avokati i Popullit thekson se vendimi i kryetarit të komunës Parteshit, për shkarkimin e ankuesit nga pozita e asistentit administrativ të Kryesuesit të Kuvendit të Komunës është në kundërshtim me nenin 5 paragrafi 2 të Udhëzimit Administrativ MAPL nr.02/2014 dhe MAP nr.01/2014 për caktimin e stafit mbështetës në komuna ku është paraparë që marrëdhënia e punës së stafit mbështetës/asistentit pushon me përfundimin e mandatit të Kryesuesit të Kuvendit.

Avokati i Popullit konstaton se veprimet e Komunës së Parteshit, përkatësisht vendimi i kryetarit të komunës, ka shkelur të drejtat dhe liritë themelore të përcaktuara me Kushtetutë dhe me KEDNJ, përkatësisht nenin 31 të Kushtetutës.

Bazuar në të gjeturat e këtij Raporti, në pajtim me nenin 135, paragrafi 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Avokati i Popullit “[…] Ka të drejtë të bëjë rekomandime dhe të propozojë masa, nëse vëren shkelje të drejtave dhe lirive të njeriut nga ana e organeve të administratës publike dhe organeve të tjera shtetërore”. Sipas kuptimit të nenit 18, paragrafi 1.2. të Ligjit për Avokatin e Popullit, Avokati i Popullit “(..) ka përgjegjësi të tërheq vëmendjen për rastet kur institucionet e Republikës së Kosovës i shkelin të drejtat e njeriut dhe të bëjë rekomandim që t’u jepet fund rasteve të tilla dhe kur është e domosdoshme të shprehë mendimin e vet mbi qëndrimet dhe reagimet e autoriteteve përkatëse në lidhje me rastet e tilla.”

Së këndejmi, përmes këtij Raporti, Avokati i Popullit rekomandon që Kryetari i Komunës së Parteshit të ndërmerr masa të menjëhershme për zbatimin e vendimit të Trupës Ekzekutive të Inspektoratit të Punës, Nr.09/442, të datës 15 prill 2015.

Ky Raport i Avokatit të Popullit për ankesën nr. 124/2015, i është drejtuar tashmë Kryetarit të Komunës së Parteshit dhe pret përgjigje në rekomandimin lidhur me rastin, jo më vonë se më 24 dhjetor 2015.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ombudspersoni-kryetari-i-parteshit-po-pengon-zbatimin-e-ligjit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala