Oferta e re për bizneset në të zezë

Autori:Zekirja Shabani

Qeveria e Kosovës duket se e ka kuptuar që e ka të pamundur ta luftojë ekonominë jo formale me mekanizmat që ka. Gazeta Fjala ka mësuar se ajo po përgatitet që ti joshë bizneset të futen vetë në sistem përmes stimujve dhe masave favorizuese, në mënyrë që të motivohen sipërmarrësit dhe punëtorët që të formalizohen.

Sipas planit të qeverisë, prania e ekonomisë jo-formale është shpesh një dëshmi e rregullimeve dhe burokracive të tepruara, barrës fiskale apo mungesës së hapësirave të kreditimit.

Kështu si formë e joshjes së bizneseve shihet krijimi mundësive të reja të kreditimit, të cilat do të shërbejnë si shtysë për bizneset që të formalizohen, dhe nëpërmjet kësaj të sigurojnë huamarrjen.

Në kuadër të masave tjera në këtë drejtim, Gazeta Fjala mëson se në sektorët ku ekonomia joformale është e lartë, si ndërtimtaria, do të vendoset një sistem kompleks i mbikëqyrjes së kompanive sa i përket punësimit të punëtorëve, qarkullimit të mallrave ndërtimore dhe kryerjes së punëve ndërtimore.

Në sektorin e hotelerisë, do të mbikëqyret dhe krahasohet punësimi i punëtorëve, qarkullimi i të ardhurave dhe i mallrave të përdorura, për të vlerësuar raportimin e drejtë të tatimit.

Në sektorin e shërbimeve (avokatët, shëndetësi, kontabilistët, auditorët, zhvilluesit e programeve softuerike, arkitektët, agjencitë e ndryshme, profesionet e tjera shërbyese etj.) do të futen në sektorin formal nëpërmjet një njësie të veçantë të Administratës Tatimore, e cila do t’i mbikëqyrë këto veprimtari. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/oferta-e-re-per-bizneset-ne-te-zeze/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala