Oda Amerikane kërkon intensifikim të luftës kundë korrupsionit

Autori:Gazeta Fjala

Oda Ekonomike Amerikane ka dalë me një qëndrim publik lidhur me luftën kundër korrupcionit duke kritikuar qeverinë dhe institucionet tjera se nuk kanë bërë përparime në këtë aspekt.

Në komunikatën e kësaj ode thotë se pavarësisht kërkesës që  Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i pati bërë Qeverisë së re në dhjetor të vitit 2014, për të vendosur luftimin e korrupsionit në krye të agjendës qeveritare, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Mdaje sipas OEA agjenda politike ka lënë në rend të dytë prioritetet e tjera të rëndësishme, përfshirë edhe luftën kundër korrupsionit.

“Efektet e këtij fenomeni në jetën ekonomike, shoqërore dhe politike nuk duhet të nënvlerësohen dhe marrja e masave adekuate është e një rëndësie vitale për procesin e shtetndërtimit në Kosovë”, thuhet në këtë komunikatë, transmeton Gazeta Fjala.

Në vazhdim qëndrimi i OEK-ut: 

Pavarësisht kërkesës publike që Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i pati bërë Qeverisë së re në dhjetor të vitit 2014, për të vendosur luftimin e korrupsionit në krye të agjendës qeveritare, fatkeqësisht gjatë periudhës së kaluar, agjenda politike ka lënë në rend të dytë prioritetet e tjera të rëndësishme, përfshirë edhe luftën kundër korrupsionit.

Efektet e këtij fenomeni në jetën ekonomike, shoqërore dhe politike nuk duhet të nënvlerësohen dhe marrja e masave adekuate është e një rëndësie vitale për procesin e shtetndërtimit në Kosovë. Përkundër përmirësimit të renditjes së Kosovës në raportin e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit 2015, të Transparency International, ku Kosova rangohet në vendin e 103 (nga gjithsej 168 shtete) krahasuar me vitin e kaluar kur është ranguar në vendin e 110 (nga gjithsej 175 shtete), Oda Amerikane beson se nuk ka hapësirë për vetëkënaqësi, duke e pasur parasysh se vlerësimi këtë vit është bërë brenda një numri më të vogël shtetesh.

Në nivel global, Kosova ende i përket grupit të shteteve me prani të lartë të korrupsionit, gjë që jo vetëm dëmton imazhin e Kosovës, por edhe zbeh potencialet e vendit për tërheqjen e investimeve të huaja direkte. Ashtu si ceket edhe në raportet e Komisionit Evropian, lufta kundër korrupsionit ka qenë pengesa kryesore e Kosovës drejt proceseve integruese, veçanërisht në aspekt të liberalizimit të vizave dhe integrimit evropian.

Përkundër përmirësimit të rangimit të Kosovës në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, shoqërisë kosovare i mbetet ende shumë punë për të bërë në eliminimin e korrupsionit. Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet mekanizmave të drejtësisë dhe përmirësimit të zbatimit të ligjit. Një gjyqësor efikas, i pavarur dhe i përgjegjshëm, do të ishte i rëndësishëm në aspekt të uljes së rrezikut të investimeve dhe përmirësimit të zbatueshmërisë  së kontratave, dhe rrjedhimisht do të dërgonte një sinjal tejet të rëndësishëm tek investitorët e huaj potencial.

Oda Amerikane mirëpret zbatimin e prokurimit elektronik, si një hap i rëndësishëm në drejtim të zgjidhjes së sfidave në proceset e prokurimit publik, ku perceptimi për prani të korrupsionit është i lartë. Është më se evidente se vetëm platforma elektronike nuk do të mundësojë zhdukjen e plotë të korrupsionit nga aktivitetet e prokurimit, megjithatë do të ndihmojë në aspekt të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies. Ekzistimi i organeve të fuqishme, të pavarura dhe profesionale në strukturën institucionale të prokurimit publik, do t’i mundësonte vendit të maksimizojë përfitimet e mundshme nga prokurimi elektronik. Në këtë aspekt është i nevojshëm edhe fuqizimi i mekanizmave për raportimin e korrupsionit.

Në fund, Oda Ekonomike Amerikane kërkon nga qeveria dhe institucionet e drejtësisë që të ushtrojnë funksionet e tyre në luftën kundër korrupsionit, duke siguruar zbatim të drejtë dhe efikas të legjislacionit, duke theksuar se është momenti i fundit kur lufta kundër korrupsionit duhet të jetë në krye të agjendës qeverisëse në vend.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/oda-amerikane-kerkon-intensifikim-te-luftes-kunde-korrupsionit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala