O’Connell: Korrupsioni një nga pengesat më të rënda në Kosovë

Autori:Avdyl Pajaziti

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell ka vlerësuar se një nga pengesat më të rënda në vend është korrupsioni, sidomos brenda strukturave shtetërore, që po keqpërdoren për interesa private.

Ai pranon se kanë shumë projekte ku do të bashkëpunohet me institucionet e Kosovës, për të trajtuar shumë  probleme, sidomos për pasurinë siç thotë ai të përfituar në mënyrë të paligjshme të zyrtarëve të lartë, ngase kjo pasuri ka sipas tij, qenë e tatimpaguesve të Kosovës dhe ata duhet të kenë të drejtë që të dinë se ku kanë shkuar këto para.

“Tash i kemi disa projekte për të bashkëpunuar me institucionet, për të trajtuar këto probleme, sidomos për pasurinë e përfituar në mënyrë të paligjshme të zyrtarëve të lartë, ngase kjo pasuri ka qenë e tatimpaguesve të Kosovës dhe ata duhet të kenë të drejtë që ta dinë si është krijuar ajo dhe të tjerët duhet ta arsyetojnë se ku kanë shkuar paratë, për çka është përdorur paraja. U përmendën edhe disa monopole më herë dhe qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të dinë se ku janë lidhjet, ku janë pengesat kryesore për zhvillimin ekonomik”, ka deklaruar ambasadori britanik në një intervistë për Kosova Sot.

Ruairi O’Connell po kështu ka deklaruar se qytetarët e Kosovës duhet të zgjedhin liderët, deputetët dhe partitë e tyre.

Kosova, sipas tij, është një vend i pavarur, vend sovran, demokratik, dhe kjo do të thotë se vetë qytetarët e këtij shteti kanë pushtet në duart e tyre.

Ata, thotë O’Connel,  janë që zgjedhin se cila do të jetë politika e Kosovës dhe çfarë do bëjë ajo, ata zgjedhin se kush do të jenë liderët e tyre.

“Ne kemi thënë vazhdimisht që nuk i përkrahim partitë politike, ne bashkëpunojmë me çdo parti politike, edhe me LDK-në, PDK-në, Listën serbe, Grupin 6+ që janë në Qeveri. Ne bashkëpunojmë edhe me ‘Vetëvendosjen’ në komunën e Prishtinës, me AKR-në në komunën e Gjakovës, ku kemi edhe projekte, bashkëpunojmë edhe me Nismën në Kuvend dhe me AAK-në, kemi edhe disa projekte në komunat që udhëheq AAK-ja”, ka shtuar më tej ai.

Ambasadori britanik tha se bashkëpunojnë në Kosovë me çdo autoritet qeveritar, përkrahin institucionet e Kosovës dhe bashkëpunojmë ngushtë me to, derisa liderët e Kosovës janë të zgjedhurit e qytetarëve. “Kjo do të thotë që nëse qytetarët janë të zhgënjyer ata mund të bëjnë zgjidhje tjetër, ata janë që vendosin për këtë”, ka përfunduar ai./KosovaSot.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/oconnell-korrupsioni-nje-nga-pengesat-me-te-renda-ne-kosove/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala