Obiliqi u bashkohet komunave që janë kundër “Zajednicës”

Autori:Avdyl Pajaziti

Kuvendi Komunal i Obiliqit i është bashkuar disa kuvendeve për të miratuar deklaratë kundër marrëveshjeve të fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në bisedimet që janë duke u mbajtur në Bruksel në nivel kryeministrash.

Propozimin e ka bërë këshilltari i vetëm i LVV-së në Kuvendin Komunal të Obiliqit, Labinot Hashani, i cili ka marrë mbështetje edhe nga partia në pushtet AAK, një këshilltar i PDK-së dhe atyre të LB-së, ndërsa kanë abstenuar LDK, pjesa tjetër e PDK-së dhe PD-ja, ndërsa është kundërshtuar nga anëtari i GIS-it, i cili në momentin e votimit të saj ka lëshuar sallën.

Në deklaratë thuhet se negociatat midis Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, përgjatë gjithë kësaj kohe kanë qenë të favorshme për këtë të fundit.

“Ajo që dihet tashmë hapur është se pikërisht nga këto negociata pa kushte dhe pa parime Serbia po i afrohet më shumë Bashkimit Evropian dhe po e forcon pozitën e saj në raport me çështjet e brendshme të Kosovës, ndërsa në anën tjetër Kosova po dëmtohet në vazhdimësi. Pas disa marrëveshjeve të dëmshme dhe jo kushtetuese në kurriz të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës, të martën me datë 25 gusht, Kryeministri i Republikës së Kosovës nënshkroi marrëveshjen për krijimin e ‘Zajednicës”, thuhet në këtë deklaratë të propozuar nga këshilltari i LVV-së.

Më tej thuhet se krijimi i “Zajednicës” është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e aplikueshme dhe cenon sovranitetin e vendit, raporton Koha.net.

“Krijimi i ‘Zajednicës’ e zhvesh shtetin e Kosovës nga përkufizimi kushtetues si shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm. Krijimi i ‘Zajednicës’ ka për synim ndarjen mbi baza etnike dhe është një mini-shtet i Serbisë brenda territorit të Republikës së Kosovës. Ky është procesi më i dëmshëm që mund t’i ndodh Kosovës”.

Sipas kësaj deklarate, “Zajednica” do të ketë territor të vetin dhe ai është, pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës, komunat Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, por synimi do të jetë përfshirja e të gjitha komunave me shumicë të popullatës serbe.

Përveç territorit, në deklaratë thuhet se “Zajednica” do të ketë edhe Kuvendin e vet, ku do të përfaqësohen gjitha komunat me shumicë serbe, pra do të ketë të drejtën e ligjvënies. Po ashtu, “Zajednica” do të ketë kompetenca të plota dhe të pavarura në zhvillim ekonomik, infrastrukturë, shëndetësi, arsim, planifikim urban e rural dhe do ta ketë edhe policinë, gjyqësinë dhe pavarësinë financiare.

“Në mbështetje të dispozitave të Nenit 12 paragrafit 2 pikës d, lidhur me Nenin 40 paragrafi 2 pika l të Ligjit NR. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale, Nenin 10 pikës 2 të Statutit të Komunës së Malishevës , Kuvendi i Komunës së Malishevës në mbledhjen e datës 30.09.2015 miraton këtë: deklaratë se i ashtuquajturi Asociacioni/’Zajednica’ i/e komunave me shumicë serbe shprehë themelimin e një etniteti juridik të themeluar mbi bazën e pastrimit etnik të shqiptarëve”, thuhet në deklaratë.

Në fund thuhet se Kuvendi i Komunës së Obiliqit nxjerrë qëndrim për arsyet e mësipërm:

5.1 Kuvendi i Komunës së Kastriotit nuk do të njoh një formacion juridik i quajtur Asociacion/ “Zajednicë” e Komunave me Shumicë Serbe, duke përfshirë vendimet që do të merren nga organet e këtij konstruksioni formal kundërkushtetues;

5.2 Kuvendi i Komunës së Kastriotit zotohet se nuk do të mbajë asnjë raport me strukturat e këtij organizimi kriminal dhe me prapavijë të spastrimit etnik;

5.3 Kuvendi i Komunës së Kastriotit i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë dorë nga cilido veprim i cili do t’i kontribuojë themelimit të Asociacionit/“Zajednicës”;

5.4 Kjo Rezolutë do të hyjë në fuqi ditën e miratimit të saj nga Kuvendi i Komunës së Kastriotit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/obiliqi-u-bashkohet-komunave-qe-jane-kunder-zajednices/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala