Nxënësit në Luginë, tre muaj pa libra shqip

Qeveria e Serbisë, që drejtohet nga Aleksandar Vuçiq, po vazhdon të marrë dekorata nga bashkësia ndërkombëtare për “vlera evropiane” e në anën tjetër po ua mohon të drejtat elementare nxënësve shqiptarë në Luginën e Preshevës, që të mësojnë gjuhën, kulturën dhe historinë shqiptare.
Nxënësve në Luginë nuk po u lejohet të mësojnë nëpër shkolla për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e as për Adem Jasharin dhe luftëtarët tjerë.
Pikërisht për këtë çështje dhe shumëçka që lidhet me historinë dhe letërsinë shqiptare, në Terminalin Doganor serb në Vranjë po mbahen të mbyllura, si në shekullin XIX, dhjetëra mijëra libra, që janë donacion nga Republika e Kosovës për shqiptarët në Luginën e Preshevës, me vlerë 103 mijë euro.
Deri më tash Këshilli Kombëtar Shqiptar u është drejtuar të gjitha institucioneve shtetërore të Republikës së Serbisë dhe përfaqësive ndërkombëtare për zgjidhjen e kësaj çështjeje të ndjeshme dhe komplekse.
Edhe në Kosovë, që kanë dhënë këtë donacion, po heshtet si problem, pavarësisht premtimeve të mëdha. Madje as zyrtarët nga Qeveria e Kosovës e as nga Ministra e Arsimit nuk kanë gjetur kohë të deklarohen për “Zërin”, pavarësisht përpjekjeve.
Kryetari i Këshillit Kombëtar, Jonuz Musliu, për “Zërin” ka thënë se tekstet e bllokuara nga ana e Serbisë po mbahen pa asnjë arsye.
Ai ka thënë se bile këto tekste të bllokuara as që janë kontrolluar.
“Tekstet shkollore janë të bllokuara pa asnjë arsye as që janë kontrolluar, as që kanë shkuar doganierët të hapin atë maunë për të parë se çka ka aty dhe kjo ka qenë pikërisht gjuha që është dashur të zgjidhet”, ka thënë Musliu, sipas të cilit, është tejet shqetësuese me çfarë libra mësojnë nxënësit e shkollave në Luginë të Preshevës.
Ai ka thënë se të vetmen kërkesë që e kanë është që nxënësit e Luginës të kenë një mësim cilësor..