Nuk zbatohen marrëveshjet e Brukselit

Autori:Avdyl Pajaziti

Raporti i titulluar „Të Përçarë” paraqet është përgatitur bashkërisht nga BIRN Kosova, Internews Kosova dhe Qendra e Avokimit për Kulturë Demokratike (Advocacy Center for Democratic Culture ACDC) nga Mitrovica e veriut. Raporti ka zbuluar se periudha e gjashtë muajve të fundit ka qenë kohë e ndarjes së shoqërisë së Kosovës sa i përket dialogut, si dhe kohë e rritjes së ndjenjave negative te të dy kryeqytetet.

BIG DEAL fton Prishtinën, Beogradin dhe Bashkimin Evropian ta bëjë prioritet procesin e ashtuquajtur ‘normalizim’, meqë shumica e marrëveshjeve mes dy anëve nuk janë implementuar deri më tani.

„Është fatkeqësi që, sikurse gjashtë muaj më herët kur prezantuam raportin e parë, vetëm katër nga 16 marrëveshje të arritura janë implementuar plotësisht“, tha Faik Ispahiu, Drejtor Ekzekutiv i Internews Kosova.

“Katër vjet e gjysmë pas nisjes së dialogut, Kosova dhe Serbia refuzojnë të njohin diplomat e njëra tjetrës. Draft-ligji mbi kadastrin është bllokuar qe dy vjet, pa progres, dhe kosovarët akoma nuk kanë kod telefonik operativ përkundër faktit se jo një, po dy marrëveshje janë nënshkruar pikërisht për këtë temë“, shtoi Ispahiu.

Megjithatë, raporti vëren se ka pasur ca progres drejt uljes së kostos për lirinë e lëvizjes për qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë.

„Një vit më parë, në konferencën e parë të raportit Big Deal, u kërkuam delegacioneve të Serbisë dhe Kosovës që të ulin koston e udhëtimit sepse njerëzve iu kushtonte shtrenjtë të kalonin kufirin nga njëri fqinj te tjetri – e sot, jam shumë i kënaqur që kjo kosto është ulur dukshëm“, shtoi Ispahiu.

Dushan Radakoviq nga qendra ACDC tha se marrëveshja mbi drejtësinë ka ngecur mbrapa në implementim dhe kjo ka pasur kosto vërtetë të madhe për qytetarët.

“Na duhet gjykata në mënyrë që veriu i Kosovës të mos jetë më vakuum i sundimit ligjor. Gjyqësori është gurthemeli i çdo shoqërie. Kur të implementohet njëherë kjo marrëveshje plotësisht, do ta bëjë më të lehtë implementimin e të tjerave”, u shpreh Radakoviq.

Raporti vjen si rezultat i më shumë se 100 intervistave me negociatorë, politikanë vendorë, gjyqtarë e qytetarë të thjeshtë, brenda një viti e gjysmë hulumtimi intenziv në çdo anë të Kosovës dhe të Serbisë. Duke ofruar një pasqyrë të thellë të gjendjes aktuale të implementimit, raporti BIG DEAL synon që procesin e normalizimit të marrëdhënieve ta bëjë më transparent.

“Mos-llogaridhënia gjatë procesit, kur politikanët përdorin edhe mundësinë më të vogël për të akuzuar anën tjetër për mos-implementim të marrëveshjeve, atyre u sjell poena të

paktë politikë“, tha Tanja Maksic, koordinatore e programit në BIRN Serbia. „Një gjë e tillë e largon shumë perspektivën e normalizimit“.

Raporti i tretë BIG DEAL analizon dinamikën e implementimit, që seriozisht është penguar nga ngërçi politik në Kosovë, nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Serbisë dhe krizat që i zhvendosën vëmendjen Bashkimit Evropian.

“Progresi i parë në gjashtë muajt e fundit ka qenë arritja e marrëveshjeve në gusht, duke zhbllokuar rrugën për implementimin e marrëveshjes për telekomin dhe energjinë“, tha Valerie Hopkins, hulumtuesja kryesore e raportit.

„Ka pasur edhe marrëveshje mbi të ardhmen e urës së Mitrovicës dhe mbi elementet kryesore të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, por progresi lidhur me këtë të fundit vazhdon të jetë i bllokuar deri në mesin e janarit kur Gjykata Kushtetuese pritet ta japë vendimin se a është marrëveshja në harmoni me Kushtetutën e Kosovës”,u shpreh Hopkins.

„Ajo çka është brengosëse reth shpejtësisë së zbatimit të marrëveshjeve nuk është fakti se marrëveshja e 19 prillit 2013 e cila duhej të zbatohej deri në fund të atij viti nuk është implementuar as tash në fund të vitit 2015, por dy gjëra tjera“, tha Bodo Weber nga Këshilli i Politikave të Demokratizimit.

„Sëpari, siç ka treguar episodi i UNESCO-s, BE dhe ShBA-të duket se nuk kanë ende një master-plan që përcakton ku duhet të përfundojë dialogu dhe sidomos se si duket rruga deri aty. Së dyti, duke margjinalizuar çështjet e demokracisë në mënyrë që të zgjidhen zënkat rreth statusit, BE dhe ShBA kanë kontribuuar në dëmtimin e demokracisë si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. Ky trend rrezikon ta zhbëjë progresin e kufizuar të arritur në dialog“, tha Weber.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/nuk-zbatohen-marreveshjet-e-brukselit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala