Nuk ka azil për kosovarët

Autori:Zekirja Shabani

Ambasadorja gjermane në Prishtinë, Angelika Viets ka përsëritur se asnjë kërkesë e emigrantëve kosovarë nuk do të pranohet nga Gjermania. Viets ka thënë se Qeveria e Kosovës dhe vendet e BE-se të prekur nga emigrimi i kosovarëve, kanë ndërmarr masa të cilat kanë ndikuar në uljen e numrit të emigrantëve, ditëve të fundit.

Ajo në një intervistë për Radio Kosovën ka përsëritur edhe një herë se asnjë kërkesë për azil e kosovarëve nuk do të pranohet. Megjithatë, ka pohuar se do të vazhdoj përkrahja e këtij shteti ndaj Kosovës.

“Kemi konstatuar se ka një lidhshmëri në mes të gjendjes ekonomike dhe të dëshpërimit të qytetarëve, të cilët si pasojë e kanë zgjedhur rrugën duke kërkuar fatin e tyre për një jetë më të mirë në Perëndim. Më lejoni që të them se, Gjermania do ta mbështes Kosovën ashtu siç e ka mbështetur edhe në të kaluarën”, tha ajo.

Ambasadorja Angelika Viets ka folur edhe për liberalizimin e vizave për kosovarëve, të cilin e ka lidhur edhe me mungesën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Ne e kuptojmë edhe zemërimin e kosovarëve se banorët e vendeve të tjera kanë liberalizim të vizave e kosovarët nuk kanë, mirëpo kjo është çështje e Qeverisë së Kosovës, e institucioneve të këtushme në bashkëpunim me Komisionin Evropian. Mund të them që perspektiva për liberalizim të vizave është, pra ekziston. Notat që Kosovës i janë dhënë për sa i përket luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, nuk janë të kënaqshme”, tha ajo.

Ajo ka potencuar edhe zhvillimin në sektorin e energjisë dhe përkrahjen e ndërmarrjeve të mesme, të cila sipas saj do të ndikojë në ngritjen ekonomike të Kosovës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/nuk-ka-azil-per-kosovaret/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala