Nuk janë llogaritur dëmet nga protesta

Autori:Avdyl Pajaziti

Ende nuk janë llogaritur dëmet e shkaktuara në ndërtesën e qeverisë dhe pronat publike nga protesta e opozitës më 9 janar.

Atë ditë, kur protesta po i afrohej fundit, objekti i qeverisë dhe më pas edhe autoblindat e policisë u sulmuan me kokteje molotovi që shkaktuan shpërthim zjarri dhe përfshirjen e tyre nga flaka.

Qeveria dhe Policia e Kosovës nuk kanë dalë me ndonjë shifër të dëmeve që janë shkaktuar, ndërsa Komuna e Prishtinës tha se nuk ka pasur asnjë dëm material, përveç intervenimit për pastrimin e shesheve dhe rrugëve të qytetit.

Arban Abrashi, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, nuk ka dhënë përgjigje për KALLXO.com, lidhur me dëmet që iu bënë ndërtesës së qeverisë, duke u arsyetuar se posa të marrë informacion nga administrata do të kthejë përgjigje.

Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës tha për KALLXO.com se policia është duke bërë të gjitha vlerësimet operacionale lidhur me mbarëvajtjen e protestës, duke përfshirë edhe dëmet e shkaktuara nga ana e protestueseve të dhunshëm.

“Si pasojë e disa protestuesve të dhunshëm, janë shkaktuar lëndime të disa zyrtarëve si dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në automjetet zyrtare, por edhe në prona publike e private,” tha ai.

Ndërkaq, Miranada Mullafazliu, zyrtare për informim në Komunës e Prishtinës, tha se nuk ka pasur dëme materiale në qytet.

“Dëme materiale në qytet nuk ka pasur, derisa është intervenuar menjëherë në pastrimin e shesheve dhe rrugëve të qytetit, si çdoherë pas tubimeve apo manifestimeve të mëdha në qytet,” tha ajo.

KALLXO.com, një ditë pas protestës solli pamje nga sheshet e kryeqytetit. Një pjesë e fasadës së ndërtesës së qeverisë kishte mbetur e nxirë nga flakët e disa koktejeve të molotovit të janë hedhura nga protestuesit.

Gjithashtu, në pjesët ku u zhvillua protesta shiheshin vazo, shporta e shenja komunikacioni të demoluara, e po ashtu mbetjet e gurëve të cilët të shtunën ishin të shumtë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/nuk-jane-llogaritur-demet-nga-protesta/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala