Nuk dihet nëse do të ketë konkurs për doktoraturë

Autori:Avdyl Pajaziti

Në disa nga Fakultetet e Universitetit të Prishtinës, zyrtarët hezitojnë të deklarojnë se sivjet do të shpallet konkursi për studimet e doktoratës.

Në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, është akredituar programi i ri për studimet e doktoratës, i cili është në gjuhën angleze. Programi Ekonomi e Aplikuar dhe Menaxhment, është një projekt i Tempus-it në bashkëpunim me tri universitete evropiane.

Por, sipas dekanit të Fakultetit Ekonomik, Skender Ahmeti, ende nuk dihet nëse mund të shpallet konkursi për programet e doktoratës, pasi siç tha, ky proces është bllokuar nga menaxhmenti.

“Programi është në gjuhën angleze dhe shpresojmë se këtë vit do të shpallet konkursi për pranimin e kandidatëve, përkundër pengesave që kanë dalë në këtë drejtim, na bëjnë të hezitojmë të themi se do të ketë konkurs për doktoratë. Ne kemi shpallur konkurs për dy gjenerata, por me ardhjen e menaxhmentit aktual të Universitetit të Prishtinës, është bllokuar procesi i shpalljes së konkursit për vitin e tretë”.

Ahmeti bëri të ditur për Radio Kosovën, se për programin e ri të doktoratës, janë caktuar profesorët vendorë por edhe ata ndërkombëtarë, ndërsa literatura sigurohet nga programi i Tempus-it, e cila është në gjuhën angleze.

Ai tha se me studimet e doktoratës, Fakulteti Ekonomik ka për qëllim të ndihmojë edhe universitetet e tjera publike, që ofrojnë programe ekonomike, pasi kanë nevojë për staf akademi.

“Qasja jonë për shpalljen e konkursit në doktoratë ka qenë që jo vetëm për të ndihmuar Fakultetin tonë, ne kemi dashur të ndihmojmë edhe universitetet e tjera, sepse nuk do të thotë që të gjithë doktorantët të punësohen në UP, por ka nevojë Gjilani, Prizreni, Peja. Edhe sot profesorët e Fakultetit Ekonomik të UP-së, mbajnë ligjërata në studimet master në Universitetin e Pejës, që do të thotë se nuk kanë staf të vetin, Mitrovica ka nevojë, tani edhe Ferizaj. Pra, janë nevoja azhure për staf, por që pengesat burokratike të individëve e pengojnë zhvillimin në këtë drejtim”.

Fakulteti Ekonomik ka pasur akreditim 3-vjeçar për katër programe për studimet e doktoratës, ndërsa me programin e ri në gjuhën angleze, tashmë janë bërë pesë programe të akredituara.

Programet e akredituara janë: Banka – Financa dhe Kontabilitet, Menaxhment dhe Informatikë, Marketing – Ekonomiks si dhe Ekonomi e Aplikuar dhe Menaxhment. /rtk/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/nuk-dihet-nese-do-te-kete-konkurs-per-doktorature/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala