Një rrugë në Ferizaj emërohet Enver Hoxha

Autori:Avdyl Pajaziti

Që nga sot një rrugë e fshatit Varosh të Ferizajt do ta mbaj emrin e ish-liderit komunist Enver Hoxha.

Pllaka me mbishkrimin është vendosur nga përfaqësuesit e Frontit Popullor për Kultivimin e Veprës së Enver Hoxhës, një formacion ky politik që tubon ithtarët e enverizmit, e të cilët e kishin zgjedhur këtë formë për ta shënuar ditëlindjen e 107 të tij si dhe 5 vjetorin e themelimit të këtij formacioni politik.

Kryetari i Fronti, Remzi Hasani, ka thënë me këtë rast se epoka që mbanë emrin e Enverit është epoka e njeriut që luftoi dhe punoi për çlirimin dhe emancipimin e kombit dhe ndërtimin e fatit të atdheut.

“Ky vigan i madh i popullit shqiptar tërë jetën e tij e konceptoi si një detyrim ndaj atdheut. Dhe pikërisht për këtë arsye edhe koha në të cilën ai jetoi dhe veproi e morri emrin e tij”, ka thënë Hasani në tubimin e frontistëve.

Për më tepër, Hasani, është ndalur edhe te formacioni që e drejton duke vë në dukje se është formacioni i vetëm politik në hapësirat shqiptare që pa u lëkundur po ecë rrugës së Enverit.

“Formacioni ynë politik përulët me respekt të madh para këtij burri dhe epokës që ai përfaqëson”, ka nënvizuar kryetari i Fronti, Remzi Hasani.

Për figurën e Enver Hoxhës folën edhe anëtarët tjerë të frontit që kishin ardhur nga Maqedonia, si Selver Bekteshi, pastaj sekretari i frontit Agim Xhigolli si dhe publicisti Erald Selca.

Të pranishmit më pastaj kanë shikuar edhe një dokumentar të prodhimit rus, në të cilin pasqyrohej konflikti shqiptaro-rus rreth bazës ushtarake të Vlorës. Frontistë kanë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve të UÇK-së në Ferizaj, për të vazhduar pastaj me një defilim me makina rrugëve të Ferizajt.

Vendosja e pllakës së rrugës me mbishkrimin Enver Hoxha është bërë nga aktivisti i frontit Asim Mjaku, i cili ishte kujdesur edhe për dizajnin e saj.

Kryetari i Frontit, Remzi Hasani, ka thënë se pllaka është vendosur në një pronë private dhe se për këtë nuk e kanë parë të udhës të kërkojnë leje nga organet komunale.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/nje-rruge-ne-ferizaj-emerohet-enver-hoxha/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala