Një ish kryetar i një komune e 13 persona të tjerë akuzohen për korrupsion

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër 14 personave për vepra penale që ndërlidhen me korrupsion.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë, pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kundër 14 të pandehurve për veprat penale: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Mashtrim”, nga neni 335 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe “Mashtrimi në detyrë”, nga neni 426 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Të akuzuarit janë: M.K., XH.K., H.R., E.S., S.K., N.G., R.H., B.P., B.A., SH.K., B.K., H.D., A.S., A.P..
Në mesin e të akuzuarve është edhe një ish kryetar komune si dhe tetë zyrtarë tjerë të asaj komune, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar, se duke vepruar në cilësinë e personave zyrtar, kanë keqpërdorë detyrën zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat e tyre ose duke mos i përmbushur detyrat e tyre zyrtare.
Në Aktakuze po ashtu janë të përfshire edhe pronarët e tre operatoreve ekonomik, si dhe dy persona përgjegjës të caktuar nga këta operatorë, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se duke vepruar si kontraktorë dhe nënkontraktohen, ku ky i fundit gjithnjë duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve kanë sjellë në lajthim të dëmtuarën në fjalë, ashtu që me rastin e kryerjes se punimeve në rrugët e kësaj komune nuk u janë përmbajtur kushteve të përcaktuara në kontratë, me qëllim që t’i sjellin vetes apo tjetrit përfitim të kundërligjshëm dhe me këtë duke i shkaktuar dëm në shkallë të madhe asaj komune, gjegjësisht Buxhetit të Republikës së Kosovës.
Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cila i ka propozuar Gjykatës që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të pandehurit, për veprat penale që akuzohen, t’i shpallë fajtor dhe t’i gjykojë sipas ligjit.