Një i vdekur e dy të lënduar në aksidentin në magjistralen Prishtinë–Pejë

Një person ka ndërruar jetë ndërsa dy persona të tjerë janë lënduar në aksidentin që ka ndodhur mes dy kamionëve transportues në një fshat afër Klinës në magjistralen Prishtinë – Pejë.
Këtë e ka bërë të ditur për Klan Kosovën, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Xhevat Ibraj.
“Aksidenti ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit mes dy kamionëve transportues, njëri prej tyre me targa vendore ndërsa tjetri me targa të shtetit të Shqipërisë”.
Ibraj ka bërë të ditur se personat e lënduar janë dërguar menjëherë për ekzaminim mjekësor në Qendrën Spitalore të Pejës ndërsa akoma nuk dihet nëse gjendja e tyre shëndetësore është e rëndë.