Nisma: Ndodhi bosnjizimi i Kosovës

Autori:Gazeta Fjala

Ndaj marrëveshjes së arritur në Bruksel për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe ka reaguar edhe Nisma për Kosovën. Në një kumtesë të lëshuar për medie, kjo parti konstaton se bisedimet e ashtuquajtura teknike, përfunduan me bosnjizimin e Kosovës.

Sipas kësaj kumtese, përmes këtij Asociacioni, Serbia në mënyrë të drejtpërdrejtë do të ushtroj sovranitetin në territorin e komunave që do të jenë pjesë e saj.

Më poshtë mund të lexoni njoftimin e plotë:

Ajo që filloi si një mashtrim i madh se gjoja bisedimet me Serbinë do të jenë vetëm teknike, përfundoi me bosnjëzimin e Kosovës.

Marrëveshja për Bashkësinë e Komunave Serbe e arritur mbrëmë nga Mustafa dhe Vuçiqi në Bruksel përfundimisht krijoi një entitet  politiko-juridik dhe territorial brenda Republikës së Kosovës.

Bashkësia e Komunave Serbe, ashtu siç e parasheh kjo marrëveshje do të funksionojë në mënyrë tërësisht të pavarur  dhe do të jetë një organizëm i cili do të sfidojë institucionet qendrore të Kosovës.

Përmes Bashkësisë së Komunave Serbe, Serbia në mënyrë të drejtpërdrejtë do të ushtroj sovranitetin në territorin e komunave që do të jenë pjesë e saj.

Me këtë marrëveshje delegacioni i Kosovës përfundimisht legalizoi ndarjen e vendit mbi baza etnike.

Struktura e organizimit të bashkësisë do të ketë të gjitha elementet e një njësie federale: Kuvend, Këshill, President, administratë, pasuri të luajtshme e të pa luajtshme. Pra, Bashkësia do të ketë fuqinë e plotë për të marr vendime për këtë pjesë të territorit të Kosovës.

Kompetencat që do të ushtroj Bashkësia dëshmojnë se në Bruksel delegacioni i Kosovës ka pranuar dhe legalizuar themelet e një shteti brenda shtetit të Kosovës.

Marrëveshjet e arritura më parë siç janë ato për policinë, gjyqësinë, doganat, tatimet dhe këto të fundit për telekomunikacionin dhe energjetikën e kompletojnë tërësinë e kompetencave ekzekutive dhe administrimin e tyre nga autoritetet e Bashkësisë serbe.

NISMA për Kosovën, konsideron se me këtë marrëveshje, Kosova nuk është më një shtet unik dhe i pa ndarë siç e parasheh kushtetuta por një shtet i ndarë në baza etnike dhe me prerogativa të rregullimit federativ.

Delegacioni i Kosovës përmes kësaj marrëveshjeje i kanë dhënë goditje të rëndë rendit kushtetues të Republikës.

Marrëveshja për bashkësinë dhe ajo për shënimin e kufirit me malin e Zi, të arritura brenda një harku kohor prej disa ditësh, tregojnë më së miri se vendi po udhëhiqet nga një qeveri e cila jo vetëm që nuk është duke mbrojtur interesat e vendit, por përmes këtyre marrëveshjeve po e dëmton rëndë të ardhmen e tij.

Këto marrëveshje do të kenë  pasoja të mëdha për të ardhmen e vendit, përgjegjësinë do ta mbajnë ata që e sollën vendin në këtë gjendje.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/nisma-ndodhi-bosnjizimi-i-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala