Nisin hetimet për rastin e keqtrajtimit të bebës njëvjeçare në çerdhen e Pejës

Autori:Avdyl Pajaziti

Policia e Kosovës ka nisur hetimet për rastin e keqtrajtimit të bebës njëvjeçare në çerdhen “Pëllumbat e Paqes” në Pejës, që ka ndodhur javën e kaluar. Në këtë institucion të sigurisë kanë treguar për Gazetën Express se deri tash janë mbledhur provat dhe janë intervistuar personat e dyshuar. Nëna e vajzës, që dyshohet se u keqtrajtua në këtë çerdhe, ka thënë se vajzën më nuk është duke e çuar fare në çerdhe, derisa tregon se po pret nga organet e rendit përgjigje konkrete. Në çerdhen “Pëllumbat e Paqes” nuk kanë pranuar të flasin.

Në çerdhen publike “Pëllumbat e Paqes”  në Pejë, që dyshohet se u keqtrajtua Eda njëvjeçare, tash e disa ditë është duke shkuar edhe Polica e Kosovës.

Ata janë duke punuar në mbledhjen e pronave dhe dëshmive në zbardhjen e rastit që tronditi Pejën javën e kaluar.

Teki Syla nga Policia e Kosovës në regjionin e Pejës ka treguar për Gazetën Express se janë duke u marrë me rastin dhe se kanë filluar hetimet.

Ai ka thënë se deri tash janë mbledhur shumica e provave dhe janë intervistuar të dyshuarit, që janë përfshirë në rast.

“Deri tash janë marrë shumica e provave. Policia po vazhdon ende të merret me këtë rast. Madje mund te themi se në mënyrë shumë intensive. Me urdhër te prokurorit janë marrë edhe provat dhe janë intervistuar disa punonjës të çerdhes se persona që dyshohet se janë të përfshirë në rast”, ka thënë Syla.

Ai ka treguar se për momentin nuk mund të thuhet se a do të ketë ndonjë kallëzim penal apo diçka të tillë, kjo pasi si sipas tij do të dihet pasi të përfundojnë të gjithë hetimet.

Derisa, Elvira Jahaj, nëna e Edës njëvjeçare që dyshohet se u keqtrajtua javën e kaluar, e cila vet tashmë rastin e kishte paraqitur në Polici, ka thënë për Gazetën Express se është duke pritur nga ky institucion të tregojë se çfarë është bërë më vajzën e saj ditën e enjte, ku vajza e saj ka qëndruar për vetëm dy orë.

“Ne e kemi dërguar rastin në Polici. Unë dhe burri imi kemi dhënë deklaratë.  E kemi treguar tërë rastin si ka ndodh. Tash jemi duke pritur se si del e vërteta e këtij rasti. Ne nuk kemi shkuar me as në çerdhe as nuk jemi takuar me drejtoreshën”, ka treguar ajo.

Jahaj ka thënë se tash vajzën nuk është duke e dërguar fare në çerdhe.

“ Jo, vajzën më nuk jam duke e quar në çerdhe. Tash po e marr me vete në punë. Nuk po kam më guxim ta nisi për në çerdhe. Vështirë të besoj tash e ta dërgojnë në çerdhe pas asaj që ka ndodhur”, thotë Jahaj për Express.

Gazeta Express ka provuar sot  të marr një shpjegim për rastin edhe nga drejtoresha e çerdhes Resmije Bujupi, por ajo e ka mbyllur telefonin vazhdimisht.

Por, Bujupi në një prononcim të dhënë javën e kaluar për Express pati thënë se  janë duke e trajtuar rastin edhe në komisionin e kopshtit. Derisa pati kërkuar që edhe rasti të mos bëhet shumë tragjik

“Jemi duke e trajtuar këtë rast. Po ashtu edhe komisioni i kopshtit është duke u marrë me të. Ne kemi biseduar edhe më prindërit e fëmijës. I kemi shpjeguar se si ka ndodhur rasti. Në pretendojmë se krejt shenjat në trupin e fëmijës janë nga kafshimi”, ka thënë ajo.

Bujupi ka mohuar mundësinë që fëmija të jetë torturuar nga mësuesit e kopshtit. “ Nuk ka asnjë dyshim që fëmija të jetë torturuar nga kujdestarët e kopshti. Kjo s’ka asnjë mundësi të ndodh se s’ka asnjë arsyeja të ndodh”, pati deklaruar për Express, Bujupi.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/nisin-hetimet-per-rastin-e-keqtrajtimit-te-bebes-njevjecare-ne-cerdhen-e-pejes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala