Nisin hetimet për keqpërdorime në Bibliotekën Kombëtare

Autori:Avdyl Pajaziti

Njësiti i Policisë së Kosovës për krime ekonomike ka nisur hetimet në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Hetuesit janë duke mbledhur dëshmi për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe përdorimit të programit bibliotekar “ALEPH-500”.

Përderisa një gjë të tillë e ka konfirmuar Drejtoria e krimeve ekonomike në Policinë e Kosovës, të gjitha institucionet e përfshira në menaxhimin e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” janë treguar të gatshme që të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë.

“Konfirmojmë që jemi duke bërë një hetim për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Jemi duke bërë hetim policor dhe jemi duke e trajtuar si informatë. Kemi bërë kërkesë në Prokurori për mbështetje të hetimeve.

Përfshihet edhe çështja e programit që dyshohet se nuk shfrytëzohet”, është përgjigjja që i ka dhënë gazetës Drejtoria e krimeve ekonomike në Policinë e Kosovës.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, ka thënë se në bazë të ligjit Policia mund të mbledhë dëshmi e pastaj Prokuroria t’i mbështesë hetimet, shkruan Koha Ditore.

Në tetor të këtij viti gazeta kishte raportuar se Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” planifikon që edhe këtë vit të paguajë mirëmbajtjen e programit, të cilin nuk e shfrytëzon as 50 për qind. Institucioni më i lartë bibliotekar në vend para një muaji i është drejtuar me një kërkesë Ministrisë së Kulturës, duke kërkuar që të paguhen afro 18 mijë euro në vit për “ALEPH-500”.

Programi i instaluar në BKK qysh në vitin 2005, sipas Njësisë për auditim të brendshëm të MKRS-së, nuk shfrytëzohet as deri në gjysmën e kapaciteteve që ofron për faktin se institucioni nuk posedon staf që mund ta bëjë këtë punë.

BKK-ja vetëm për blerjen e këtij programi, produkt i kompanisë “Ex Libris” nga Izraeli, ka paguar 131 mijë euro në vitin 2004.
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, ka thënë se është në dijeni se kjo çështje është duke u hetuar.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/nisin-hetimet-per-keqperdorime-ne-biblioteken-kombetare/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala