Nis ndërtimi i shkollës në Llapushnik, do të kushtojë mbi 683 mijë euro (Foto)

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryetari i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku i shoqëruar me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ministrinë e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, Arsim Bajrami, ministrin e Administratës Publike, Mahir Yagcilar, zëvendës-kryetarin e Parlamentit, Xhavit Halitin, deputet e Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të Komunës dhe të shkollës së fshatit, sot morën pjesë në vënien e gurthemelit për ndërtimin e shkollës së re “Hasan Prishtina” në fshatin Llapushnik.

Më rastin e fillimit të ndërtimit të objektit të ri të kësaj shkolle, kryetari Demaku ka përshëndetur të pranishmit dhe ka thënë se “jam shumë i lumtur që sot jemi mbledh së bashku për të venë gurthemelin e ndërtimit të kësaj shkolle. Fshati Llapushnik i Komunës së Drenasit është një nder fshatrat me të mëdha të Komunë sonë dhe kërkesa për ndërtimin e kësaj shkolle ka qenë e kamotshme dhe e vazhdueshme e komunitetit, ndërsa sot së bashku me institucionet përgjegjëse kemi arrit në fillimin e punimeve për ndërtimin e kësaj shkolle, pasi që objekti ekzistues nuk i ka plotësuar kushtet e nevojshme për zhvillimin e një procesi të duhur mësimi, dhe me ndërtimin e kësaj shkolle do të ndikoj në rritjen e cilësisë dhe kushteve të përgjithshme si për mësimdhënës ashtu edhe për nxënës. Komuna ka punuar dhe është duke punuar në përmirësimin e kushteve në shkolla, si në shkollën Rasim Kiçina në Drenas, në shkollën e Komoranit, në shkollën e fshatit Kizhnarek, në Korroticë të Lartë në Gllobar, për të vazhduar edhe për vitin e ardhshëm në fshatin Verboc dhe Gjergjaj”, ka thënë kryetari Demaku.

Ndërsa kryeparlamentari Veseli, në fjalën e tij para përfaqësuesve të tjerë të institucioneve qendrore e lokale, mësimdhënësve dhe nxënësve të kësaj shkolle, si dhe banorëve të Llapushnikut, fillimisht, kujtoi betejat e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër forcave serbe, po në këtë grykë, 17 vite më parë.

“Llapushniku, Prekazi, Gllogjani dhe vatrat tjera të luftës, ku u shënua rezistenca kundër armikut, janë vende të shenjta. Sot, ato kanë nevojë për zhvillim, punësim, shkolla më të mira dhe edukim më cilësor”, tha Veseli.

Ai shtoi se Llapushniku do ta ketë shkollën e re, në mënyrë që nxënësit të kenë kushte më të mira për mësim, në të cilin po investon fuqishëm Qeveria e Kosovës, duke u bërë nesër, me dijen e tyre, ndërtuesit e një Kosove edhe më të begatë.

“Të dashur nxënës, urime dhe e gëzofshi përjetësisht shkollën e re. Ju mësimdhënës, nëpërmjet punës suaj të jashtëzakonshme, vazhdoni misionin e edukimit të gjeneratave të reja, në mënyrë që Kosova jonë të ketë përparim e zhvillim”, theksoi kryetari i Kuvendit.

Kurse ministri i Arsimit, Arsim Bajrami tha se “jemi afër shkollës së vjetër, cila ka qenë fortesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kjo shkollë ka pasur edhe rol të rezistencës kombëtare. Sot po nisim të ndërtojmë një shkollë te re, shkollë e cila do të shërbejë si një vatër edukimi i këtyre fëmijëve, që të rriten dhe edukohen në frymë pozitive dhe të shërbejnë si qytetarë të denjë të Republikës së Kosovës”.

Ministri Bajrami theksoi se banorët e këtij fshati duhet të ndjehen krenarë për rolin që kanë pasur gjatë historisë. Ndërsa, ai tha se Qeveria sot po nisë një objekt modern të shkollës, një objekt i cili do të ofrojë kushte për mësimdhënie dhe mësimnxënie moderne. “Jemi të sigurt që nxënësit e kësaj shkolle do të kenë mundësi që të marrin mësim të avancuar, sepse shkolla do të ketë hapësira të mjaftueshme dhe do të këtë edhe sallën moderne të sportit, si dhe laboratorë, ndërsa do të angazhohemi që shkolla të ndërtohet në një afat sa më të shkurtër kohor dhe do të vazhdojmë me ndërtimin edhe të shkollave tjera në Drenicë”, tha ministri Bajrami.

Ministri Yagcilar, duke iu drejtuar të pranishmëve theksoi se, MAP-i është në funksion të zbatimit të politikave të Qeverisë dhe bashkë me Ministrinë e Arsimit po ndihmon në ngritjen e ndërtesave shkollore, në mënyrë që nxënësve dhe mësimdhënësve të Kosovës t’u krijohen kushte sa më të mira për mësim. Kjo ndërtesë, theksoi ministri Yagcilar, do t’i ketë 2900 metra katrorë, kurse ndërtimi i saj do të kushtojë 683,711.17 euro dhe sipas planit të paraparë, punimet pritet të përfundojnë brenda 22 muajsh. Shkolla, pos lokaleve të nevojshme do ta ketë edhe sallën e edukatës fizike dhe hapësirat tjera përcjellëse.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/nis-ndertimi-i-shkolles-ne-llapushnik-qe-do-te-kushtoje-683-mije-e-711-euro-foto/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala