Nis gjykimi ndaj Xhevat Bislimit

Autori:Gazeta Fjala

Në Gjykatën Themelore të Gjilanit ka nisur gjykimi ndaj Xhevat Bislimit dhe Abdulla Eminit. Avokati mbrojtës Avdulla Ismajli tha se në seancën fillestare Xhevat Bislimi e ka mohuar veprën dhe nuk e ka pranuar fajësinë.

Xhevat Bislimi është paraqitur në seancën e parë fillestare në Gjykatën Themelore të Gjilanit që po kryesohet nga Emine Salihu kryetare e trupit gjykues.

Ndryshe Prokuroria Themelore në Gjilan, departamenti për krime të rënda ka ngritur aktakuzë kundër Xhevat Bislimit e Abdullah Eminit të dyshuar për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Departamenti për krime të rënda në Prokurorinë Themelore të Gjilanit pos Xhevat Bislimit, aktakuzë ka ngritur edhe ndaj Abdullah Eminit zyrtar i prokurimit publik, transmeton Rajoni Press.

Sipas aktakuzës të ngritur nga prokurori Afrim Shefkiu, Xhevat Bislimi në cilësi të nënkryetarit të komunës së Vitisë dhe Abdullah Emini në cilësi të zyrtarit të prokurimit publik më 26 janar 2009 kanë shpërdorë pozitën zyrtare dhe autorizimin në atë mënyrë që pa i respektuar procedurat e rregullta të tenderimit , me qëllim që zyrës projektuese “Geodezy- Projects”, me pronar Feriz Sinani, nga Vitia , t`i sjellin dobi të kundërligjshme pasurore, i pandehuri Xhevat Bislimi ka lidhur marrëveshje pune për hartimin e projektit për kanalizimin për ujërat fekal për rrugët “Flaka e Janarit”, “Elena Gjika”, “Iliria”, Hoxhë Jonuzi dhe një pjesë të shtratit të lumit “Morava e Binqës” dhe kanë lejuar pagesën e punëve të pa kryera ashtu që të njëjtit i kanë mundësuar përfitim të kundërligjshëm prej 3.028.20 euro, edhe pse Abdullah Emini si zyrtar i prokurimit ka qenë i obliguar që të ndalojë një veprim të tillë sepse me këso veprime Komunës së Vitisë i ka shkaktuar dëm material thuhet në aktakuzë.

Në aktakuzë përshkruhet edhe deklarata e Xhevat Bislimit i cili e ka mohuar veprimin inkriminues./Rajoni Press

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/nis-gjykimi-ndaj-xhevat-bislimit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala