Nikoliq ofendon Jahjagën

Autori:Avdyl Pajaziti

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq i ka thënë të hënën, homologes së tij nga Prishtina, Atifete Jahjagës, se Kosova nuk është shtet. Për më tepër, siç raporton gazeta Novosti e përcjell Klan Kosova, burri nga Beogradi i ka thënë asaj të mos shtiret sikur udhëheq një shtet.

Për këto muhabete, të zhvilluara gjatë samitit “Brdo-Brioni”, që u mbajt dje në Budvë të Malit të Zi, gazeta thirret në Ivan Mrkiqin, këshilltarin e kryetarit Nikoliq.

“Mos mendoni se po e udhëhiqni një shtet të vogël, pasi Kosova kurrë nuk do të jetë i tillë”, i ka thënë presidenti serb Jahjagës, sipas Mrkiqit.

Ky, siç transmeton Novosti, i ka thënë kryetares së Kosovës se “shqiptarët nuk po i përmbushin obligimet e marra nga marrëveshja e Brukselit dhe se kjo praktikë duhet të ndërrohet, në mënyrë që të mund të arrihet një marrëveshje e vërtetë me serbët, në vend se të mendojnë se janë një shtet të cilin gjysma e njerëzimit nuk e njeh”.

Më tepër se kaq, presidenti i Serbisë, sipas këshilltarit të tij, i është drejtuar homologes kosovare edhe për sa i përket zhvillimeve në Maqedoni. Në drejtim të saj janë bërë akuza të rënda gati deri në ofendime.

“Nikoliq i ka thënë asaj se pret që të paktën të kërkojë falje për ato që kanë bërë bashkëkombasit e saj, terroristët shqiptarë, të cilët me egërsi po vrasin në Kumanovë forcat e rendit, e në Prishtinë u përgatitet varrim solemn, në fakt, me nderime shtetërore”, ka treguar Mrkiq.

Ky i fundit, siç shkruan Novosti, ka thënë se pas këtyre fjalëve, Jahjaga ka heshtur dhe nuk ka folur më. /klankosova/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/nikoliq-ofendon-jahjagen/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala