Ngritët aktakuzë ndaj personit që sulmoi eskortën e Kryeministrit

Autori:Avdyl Pajaziti

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj një aktivisti të Lëvizjes Vetëvendosje i cili javë më parë ka sulmuar eskortën e Kryeministrit Isa Mustafa me disa mjete metali me gjemba.

Nga veprimi i T.G. fillimisht ishte distancuar Lëvizja Vetëvendosje mirëpo sipas prokurorisë personi i akuzuar ka pranuar se është anëtar i kësaj lëvizje.

Ky është njoftimi i Prokurorisë:

Departamenti për Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë, kundër T.G., për veprat penale: Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës në tentativë, nga neni 128 lidhur me nenin 28 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, nga neni 409 par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Aktakuza ka të bëjë me rrezikimin e përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës, gjegjësisht eskortës së kryeministrit, ku i pandehuri sipas marrëveshjes paraprake me katër persona të paidentifikuar në rrugën “Ilir Konushevci”, në Prishtinë, me disa mjete të përshtatshme për shkatërrimin e gomave të punuara nga metali me gjemba, kanë tentuar të shkatërrojnë gomat e veturave të eskortës, mirëpo janë penguar nga personat zyrtarë. Gjatë veprimeve të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, i pandehuri të njëjtit i ka sulmuar duke iu shkaktuar lëndime trupore.

Pas kësaj ngjarjeje Lëvizja “Vetëvendosje” është deklaruar se nuk qëndron pas këtij akti, mirëpo pas arrestimit të të pandehurit rezulton se i njëjti është anëtar i kësaj Lëvizjeje.

Për veprat me të cilat i pandehuri ngarkohet sipas aktakuzës, prokurori i rastit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga gjykata që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe të dënojë sipas ligjit.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ngritet-aktakuze-ndaj-personit-qe-sulmoi-eskorten-e-kryeministrit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala