Ngritet aktakuza për rastin “Apex”

Autori:Avdyl Pajaziti

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë në Departamentin për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore të Prishtinës kundër njëmbëdhjetë (11) të pandehurve.

“Secili prej njëmbëdhjetë të pandehurve është akuzuar me veprën penale të Krimit të Organizuar (neni 283 të Kodit Penal të Kosovës (KPK) në lidhje me veprën Detyrim (neni 340 KPK), ndërsa disa nga të pandehurit ballafaqohen me akuza shtesë duke përfshirë akuzat: Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, (neni 409 KPK), Shtrëngim (neni 195 i KPK-së), Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve (neni 374 i KPK-së) dhe Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge (neni 273 i KPK-së)”, thuhet në njoftimin për media.

Veprat penale të pretenduara përfshijnë periudhën nga viti 2008 – 2013 dhe ndërlidhen me lojërat e fatit dhe të industrisë së kazinosë në Kosovë.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror ndërkombëtar i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës pas një hetimi duke përfshirë Njësinë kundër Krimit të Organizuar të Policisë së Kosovës, Njësinë kundër Krimeve të Rënda të Policisë së Kosovës dhe Policinë e EULEX-it.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ngritet-aktakuza-per-rastin-apex/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala