Ngjarjet e fundit, zgjedhjet e mundshme dhe roli i Presidentes – ja çfarë mendojnë qytetarët!

Autori:Avdyl Pajaziti

Situata politike në vend ka zhgënjyer qytetarët e Kosovës. Kështu thuhet në një hulumtim të bërë nga Instituti për Hulumtim dhe Analiza sociale-Prishtinë, përmes një anketimi të metodës rastësore në shtatë komuna të Kosovës, ku ka rezultuar se qytetarët mendojnë se zgjidhje e vetme për të dal nga kjo situatë janë zgjedhjet.

Qytetarët përveç që kanë kërkuar ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar, ata gjithashtu kanë thënë se e vetmja mënyrë është që vendi të qeveriset nga njerëz të rinj e të pa përfshirë në subjektet politike, si dhe njerëz me vizion të qartë për të ardhmen.

Anëtari i Institutit për Hulumtim dhe Analiza sociale-Prishtinë, Arjan Janova, në prezantimin e këtij hulumtimi ka treguar se qytetarët nuk janë të kënaqur me Qeverinë, e as me opozitën të cilët kanë thënë se kjo e fundit po ia qet tymin Kuvendit të Kosovës.

Se si i shohin veprimet e fundit të opozitës në Kuvend, 71 për qind e qytetarëve i kanë parë si të dhunshme.

“Sipas tyre zgjedhja duhet të jetë me zgjedhje. Duhet të mbahen zgjedhjet mirëpo ata kërkojnë edhe ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar. Në përgjithësi nuk janë të kënaqur as me partitë të cilat po mbrohen me policët, partitë në Qeveri, mirëpo as nga opozita – siç thonë qytetarët po ia qet tymin Kuvendit të Republikës së Kosovës, përmes gazit“,tha Janova.

Duke iu referuar rezultatit të anketimit, të pyetjes se a e shohin opozitën si alternativë reale e ndryshimit, 40.89 për qind janë përgjigjur pozitiv, duke thënë se opozita ka një program më të mirë dhe se presin ndryshime nga ta.

Kurse, 59.11 për qind kanë qenë negativ, duke e arsyetuar se nga këto parti të opozitës ka edhe komuna të cilat i udhëheqin e të cilat nuk po ndryshojnë asgjë nga ato të pozitës.

Ata thonë se të gjithë janë të njëjtë.

Por më e mira e qeverisjes së vendit sipas qytetarëve të anketuar është parë një alternativë tjetër e ndryshimit. 85.43 për qind e tyre kanë kërkuar që vendi të udhëhiqet nga njerëz të pa përfshirë më parë në subjekte politike.

Ndërsa, 14.57 për qind janë përgjigjur se nuk shohin ndonjë alternativë tjetër.

Ata në argumentim janë përgjigjur se kanë pritur ndryshim nga shoqëria civile, por as kjo tani nuk po funksionin pasi që sipas tyre edhe shoqëria civile nuk do ta humbiste mundësin e ofruar për t’u futur në ndonjë nga subjektet politike.

Ndërsa, në pyetjen se si e vlerësojnë rolin e Presidentes së Kosovës në situatën politike, 14.19 për qind kanë thënë Presidentja ka pasur rol aktiv, ndërsa 85.51 për qind mendojnë që presidentja ka pas rol indiferent.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ngjarjet-e-fundit-zgjedhjet-e-mundshme-dhe-roli-i-presidentes-ja-cfare-mendojne-qytetaret/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala