Ngecin arkat fiskale

Procesi i pajisjeve me aparate elektronike fiskale për të gjitha bizneset aktive në Kosovë, vazhdon të neglizhohet dhe si i tillë po krijon evazion fiskal.
Në mbi 130 mijë kompani, sa llogariten të jenë të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës, deri më tani janë fiskalizuar mbi 27 mijë biznese apo shprehur në përqindje, mbi 55 për qind të pikave të shitjes.
Arsye e “ikjes” nga ky projekt, sipas pronarëve, është çmimi i lartë për blerjen e një aparati elektronik, si dhe çmimi vjetor për mirëmbajtjen e tyreshkruan radio Evropa e Lirë.
Udhëheqës të Ministrisë së Financave, gjatë prezantimit të Udhëzimit Administrativ për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike dhe Sistemeve Fiskale, të premtën kanë premtuar se do të largohet monopoli në treg që ka ekzistuar sa i përket furnizimit me arkat fiskale dhe në këtë mënyrë, çmimet e aparateve do të jenë shumë më të lira.
Po ashtu, edhe kontrolli teknik i pajisjeve nuk do bëhet çdo 12 muaj, por çdo 24 muaj, me një vlerë më të vogël financiare.
E gjithë kjo do të ndodhë pas miratimit të Udhëzimit Administrativ për pajisjet fiskale, udhëzim ky që do të përshpejtojë dhe ulë çmimin e fiskalizimit.