Ngec regjistrimi i diasporës

Ndonëse nëpër strategji e dokumente të ndryshme të autoriteteve të Kosovës, vlerësohet se një e treta e qytetarëve të Kosovës jetojnë jashtë territorit të saj, ende nuk ka regjistër zyrtar për numrin e saktë të tyre.
Deri tani, ka disa të dhëna të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ku thuhet se janë rreth 700 mijë kosovarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës, shumica prej tyre në Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Regjistrimi i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit i filluar në dhjetor të vitit 2013 nga Ministria e Diasporës, nuk ka përfunduar ende.
Zëdhënësi i kësaj ministrie, Lorik Pustina, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka bërë të ditur se regjistrimi ka shënuar ngecje për shkak të ngërçit politik që ishte krijuar gjatë vitit të kaluar.