Nga janari 5 euro tarifë për ‘Rrugën e Kombit’

Autori:Avdyl Pajaziti

Në “Rrugën e Kombit” makinat do të lëvizin pa pagesë edhe për muajt nëntor dhe dhjetor. Ministria e Transporteve të Shqipërisë ka vendosur shtyrjen me 2 javë të afatit për pranimin e ofertave për dhënien me koncesion të “Rrugës së Kombit”.

Shtyrja sipas ministrit të Transporteve, Edmond Haxhinasto, është bërë për shkak të kërkesës së vet kompanive.

“Po, është një kërkesë normale procedurale, nëse kërkohet një shtyrje nga ana e kompanive pjesëmarrëse. Kjo gjë realizohet dhe këtë kemi bërë, e kemi shtyrë me 2 javë hapjen e ofertave për “Rrugën e Kombit””, tha Haxhinasto, raporton Shqiptarja.

Por burime nga Ministria e Transporteve thonë se “Rruga e Kombit” do të jetë me pagesë duke filluar nga fillimi i 2016-ës, për shkak të procedurave që do të lidhen me kompaninë që do të marrë me koncesion rrugën, ku parashikohet që të paguhet një taksë për çdo makinë që do të përshkojë këtë segment.

Ministria e Transporteve ka konfirmuar se pagesa për të kaluar në “Rrugën e Kombit” do të jetë 5 euro. Por për banorët pagesa do të jetë me kategorizim. Burime pranë Ministrisë së Transporteve thonë se për një pjesë të banorëve të zonës, kalimi do të jetë falas, ndërsa për të tjerët do të jetë më e ulët se 5 euro.

I pranishëm në panairin “Tirana Expo Centre”, me fokus sektorin e Ndërtimit dhe Energjisë, Haxhinasto tha gjithashtu se mirëpret futjen dhe aplikimin në vend të teknologjive të reja për të modernizuar sektorin e transportit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/nga-janari-5-euro-tarife-per-rrugen-e-kombit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala