Nga 36 premtime, vetëm 12 i realizoi Shpend Ahmeti

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, gjatë fushatës së tij zgjedhore bëri një “mal” me premtime, mirëpo deri më tani ai ka arritur të realizojë vetëm 33% e tyre, që sipas Instiutit GAP i bie se nga 36 premtimet e tij ai i ka arritur ti përfundojë vetëm 12.

Ahmeti tani ka bërë më shumë se 1 vit që është në krye të udhëheqjes së Prishtinës, dhe ngecjet më të mëdha të tij duken kryesisht në realizimin e projekteve kapitale.

Arbër Kadriu nga Iniciativa për Progres ka thënë për Indeksonline se Ahmetit i mbetet edhe dy vite tjera të mandatit për të realizuar disa prej premtimeve të tij që për qytetarët e Prishtinës janë nevoja të rëndësishme.

“INPO vlerëson se premtimet gjatë fushatave të zgjedhjeve lokale dhe atyre qendrore, në të shumtën e rasteve, janë jo-realiste, dhe bëhen për tërheqjen e sa më shumë votuesve. Megjithatë, Ahmeti ka një trend deri diku pozitiv të realizimit të premtimeve që ka bërë gjatë fushatës zgjedhore”, ka thënë Kadriu.

Furnizim me ujë të pijshëm për 24 orë, modernizimi i transportit publik, krijimi i hapësirave të reja për parkingje publike, janë disa nga sfidat që ende nuk i ka tjekaular kjo qeverisje.

Pastaj një gjë tjetër e cila nuk ka pasqyruar stabilitet të mirë në punën e një kryetari komune, kanë qenë edhe emërimi i ushtruesve të detyrës në krye të disa drejtorive komunale.

Lidhur me këtë çështje, Arbër Kadriu ka theksuar se INPO-ja ka apeluar disa herë pranë Komunës së Prishtinës që një problem i tillë të adresohet në mënyrën e duhur.

I pari i Prishtinës një prej premtimeve më kyçe e kishte edhe shitjen e veturës “Audi Q7” e cila i kishte takuar ish-kryetarit të Prishtinës, Isa Mustafa, transmeton Indeksonline.

Madje ky premtim për shitjen e kësaj veture kishte bërë bujë të madhe mediatike. Ahmeti deri më tani e ka e vendosur dy herë radhazi në ankand publik por akoma nuk ka arritur që ta shesë.

Këtë premtim të tij Arbër Kadriu nga INPO-ja ka thënë se kjo nuk ka qenë në interes të qytetarëve.

“Shitjen e veturës “Audi Q7”, INPO-ja e vlerëson si çështje që nuk është në interes të qytetarëve të Prishtinës dhe vlerësojmë se rëndësia e kësaj çështje ka qëndruar vetëm gjatë fushatës zgjedhore në vitin 2013”, është shprehur Kadriu./Indeksonline/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/nga-36-premtime-vetem-12-i-realizoi-shpend-ahmeti/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala