Nga 2017-a taksë edhe për tokën

Autori:Avdyl Pajaziti

Qytetarët e Kosovës obligohen të paguajnë tatimin në tokë për herë të parë pas luftës. Deri më tani është paguar vetëm tatimi në pronë bazuar në vlerën e objekteve, e parashihet që të zgjerohet tatimi në pronë duke e përfshirë për herë të parë edhe tatimin bazuar në vlerën e tokës.

Fillimi i pagesës së këtij tatimi pritet të ndikojë në rritjen e të hyrave vetjake të komunave, të cilat kryesisht shkojnë në investimet kapitale.

Shkëlzen Morina, drejtor i Departamentit të Tatimit në Pronë në Ministrinë e Financave, ka thënë se parakusht për fillimin e këtij tatimi është miratimi i Ligjit për tatimin në pronë. Morina ka thënë se Ministria e Financave është në proces të draftimit të këtij projektligji që pritet të kalojë në Qeveri dhe Kuvend për miratim. Tek pas hyrjes së ligjit në fuqi, Morina thotë se do të nisë aplikimi i tatimit në tokë.

“Vetëm pas miratimit të këtij ligji mund të kemi më të qartë kohën se kur mund të fillojë aplikimi i këtij tatimi. Tatimi në tokë është një temë shumë e ndjeshme dhe nevojiten përgatitje të mëdha, pasi po aplikohet për herë të parë pas luftës”, ka thënë Morina.

Ai ka thënë se Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim – SIDA që e përkrah ministrinë për këtë çështje do të ndihmojë në vlerësimin e tokave për pagesën e tatimit. Vlerësimi i vlerës së tokave do të bëhet në bashkëpunim me ekspertët suedezë dhe ata të Kosovës.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/nga-2017-a-takse-edhe-per-token/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala