Nexhmi Krasniqi kthehet në detyrë

Drejtori i Policisë rajonale në Prizren, Nexhmi Krasniqi, të premten, ka bërë të ditur se ndaj tij është hequr masa e suspendimit dhe se kësisoj nga e shtuna do të kthehet në detyrë.
Inspektorati Policor i Kosovës në shtator të vitit të kaluar kishte rekomanduar suspendimin e Krasniqit, dhe një eprori tjetër në sektorin e hetimeve të vrasjes, shkruan sot Koha Ditore.
Mirëpo, sipas Krasniqit, tashmë i është dhënë drita e gjelbër se mund të kthehet në zyrën e tij, për të vazhduar punën në krye të Policisë rajonale.
Në shtator të vitit të kaluar Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) përmes një komunikate pati bërë të ditur se pasi ka pranuar disa informacione dhe ankesa nga qytetarët, si dhe pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore preliminare ka rekomanduar Policinë e Kosovës për suspendimin e dy zyrtarëve të PK-së, njëri me pozitë të drejtorit rajonal të PK-së në Prizren, kurse tjetri udhëheqës në sektorin e hetimeve të vrasjes në të njëjtën Drejtori rajonale.