New York Times fajson Nikola Gruevski-n

Autori:Avdyl Pajaziti

Gazeta më e famshme në botë “New York Times”, ka raportuar se Maqedonia mund ta pësojë rëndë nga superskandali i përgjimeve, e më keq se kaq, ky vend ka gjasë të vuajë deri në ndarje, edhe për shkak të telasheve etnike, që ridolën në pah një javë më parë në Kumanovë.

“NYT”, shkruan se Maqedonia me vetëm 2 milionë banorë, shfaq tendenca shumë të theksuara nacionaliste, pavarësisht që ka një histori si shtet me vetëm 24 vjet. Gjithashtu thonë se Maqedonia ka kaluar dekadën e fundit, në një shtet autoritar nën udhëheqjen e vetëm një partie.

VMRO-ja, siç raporton e përditshmja amerikane, i ka shtypur të drejtat e njeriut (sidomos të shqiptarëve) ka ngulfatur mediet, ka mobilizuar forcat e sigurisë, ka keqpërdorur me sistemin e drejtësisë dhe ka arritur që ta largojë edhe opozitën nga Kuvendi.

‘NYT’, fajin për krejt këtë situatë ia lë kryeministrit Nikola Gruevski, për të cilin thotë se “në një vlug të shpërthimit të energjisë me përmbajtje nacionaliste, është fokusuar në një program të infrastrukturës që duket si i pafund, e që tani po shkon drejt përfundimit”.

Shpëtimi për këtë shtet, sipas gazetës, që citon analistë dhe politikanë nga Shkupi, është në dorëheqjen e Gruevskit dhe atë me vullnetin e tij, pa pasur nevojë për protesta të dhunshme.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/new-york-times-fajson-nikola-gruevski-n/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala