Nesër vendoset për aktivistët e arrestuar të Vetvendosjes

Nëntë aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje do të mbesin në arrest policor deri nesër kur Gjykata Themelore të marrë vendimin lidhur me masën e sigurisë për ta.
Prokurori i rastit në fillim ka kërkuar një muaj paraburgim për të gjithë të arrestuarit, por gjatë seancës këtë masë të sigurisë e ka kërkuar vetëm për Uran Hasanin, Ylli Hoxhën, Premton Ibërdemajn, Arbër Kaqorraj dhe Adnan Loshajn.
Ndërsa prokurori është tërhequr nga kërkesa për një muaj paraburgim për të arrestuarit Shpat Selmanaj, Endrit Cacaj, Visar Dobra dhe Ardon Mulaj.
Këto detaje i ka bërë të ditur avokati i Shpat Selmanaj, Driton Govori, sipas të cilit prokurori nuk ka sqaruar se cila do të jetë kërkesa për klientin e tij dhe tre të dyshuarit tjerë.
Nëntë aktivistët janë arrestuar nga Policia mbrëmjen e së hënës pas arrestimit të deputetit Albin Kurtit.
Të gjithë këta dyshohen për huliganizëm dhe gjuajtje e gjësendeve të rrezikshme ndaj zyrtarëve të Policisë.