Nesër nis sesioni pranveror i kuvendit

Autori:Gazeta Fjala

Kuvendi i Kosovës do të nisë javën e ardhshme sesionin e ri parlamentar, ndërsa deputetët do t’u kthehen seancave plenare menjëherë pasi Kryesia të thërrasë mbajtjen e të parës prej tyre.

Pavarësisht pushimit prej disa javësh, grupet parlamentare nuk kanë ndryshuar qëndrimet politike dhe, ndërkohë që shumica parlamentare shpreson në një sesion më të qetë parlamentar, deputetët e opozitës konfirmojnë bllokimin që do t’u bëjnë seancave plenare.

Sipas nenit 37 të Rregullores së punës së Kuvendit, sesioni i punimeve të Kuvendit fillon të hënën e tretë të muajit janar për të ashtuquajturën “sesion pranveror”.

Nisjen e punës së Kuvendit e ka konfirmuar këtë javë edhe kryeparlamentari, Kadri Veseli, gjatë një takimi me ambasadorin amerikan në Kosovë, Greg Delawie.

Edhe pse ditë më parë diskutohej mundësia e shtyrjes së punimeve të Kuvendit, deri në një marrëveshje politike për daljen nga kriza, ambasadori amerikan ka kërkuar nga kryeparlamentari Veseli, që Kuvendi të vazhdojë punën në përputhje me funksionet kushtetuese që ka.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci tha përmes telefonit për Top Channel se, sesioni i ri i punës së Kuvendit do të nisë ditët në vijim, ndërsa shtoi se janë në pritje të marrjes së ftesës për mbajtjen e mbledhjes së Kryesisë, për të caktuar mbajtjen e seancës së parë plenare për vitin 2016.

Grabovci tha se, presin një sesion më të qetë parlamentar, duke ftuar opozitën që të kthehet dhe të paraqesë qëndrimet e saj nëpërmjet diskutimeve në Kuvend, pasi – sipas Grabovcit, – vetëm përmes dialogut sjellin vendime të drejta në interes të qytetarëve.

Por shefja e grupit parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi është shprehur e vendosur, që opozita të vazhdojë bllokimin e Kuvendit, ndërsa tani do të kërkojë edhe largimin e qeverisë, që – siç tha ajo, – ka shkelur Kushtetutën dhe nuk mund të qëndrojë me dhunë në pushtet.

Deputetja Kadaj-Bujupi deklaroi përmes telefonit për Top Channel se, për metodat dhe mënyrën sesi do të veprojë opozita për bllokimin e Kuvendit, apo me çfarë mjetesh do ta bllokojë punën, do të vendosin në momentin e caktimit të datës së seancës së re.

Edhe pse në faqen zyrtare të internetit të Kuvendit, tanimë janë publikuar oraret e mbledhjeve të komisioneve parlamentare për javën e ardhshme, deputetja Kadaj-Bujupi tha se, opozita do t’i bojkotojë ato.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/neser-nis-sesioni-pranveror-i-kuvendit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala