Nesër në protestë familjarët e të rënëve para luftës

Autori:Avdyl Pajaziti

Komisioni i Familjeve të Dëshmorëve të Kombit të rënë para luftës së fundit në Kosovë, do të organizojë nesër një marsh protestues, duke filluar nga ora 14:00 para Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë.

Komisioni i Familjeve të Dëshmorëve të Kombit, të rënë që nga viti 1963 e këtej, kërkon nga Komisioni Qeveritar për Verifikim, që të përfshijë në Ligjin për statusin e dëshmorëve të kombit edhe veprimtarët shqiptarë, të cilët para luftës së fundit, kanë rënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Kryetari i Komisionit, Naim Zhitia, tha se kjo protestë do të organizohet pasi nuk janë përfshirë në lista familjarët e dëshmorëve të paraluftës.

“Ne nuk po kërkojmë asgjë përveç të respektohet Ligji, të cilin e kanë votuar deputetët e Kuvendit të Kosovës. Janë refuzuar tash kur kanë aplikuar pothuajse në tërësi, duke iu thënë se vetëm nga 1998-99, më herët nuk i njohim këto kategori. Janë refuzuar nga komisioni qeveritar të cilit i prinë Agim Çeku.”

Anëtari i Komisionit të Familjeve të Dëshmorëve, Behram Krasniqi, tha se institucionet duhet të njohin kontributin e veprimtarëve, të cilët kanë rënë në periudha të ndryshme për lirinë e Kosovës, raportojnë mediat.

“Populli i njeh, por institucionet fatkeqësisht nuk i njohin. Prandaj kërkesa jonë është që institucionet me ligj t’i njoh ata si dëshmorë. Opinioni shqiptar i mbarë trojeve shqiptare i njeh ata që kanë rënë për Pavarësinë e Kosovës. Ne po kërkojmë të zbatohet ligji, sepse neni 8, pika 2, e thotë që dëshmorë janë edhe ata që kanë rënë në forma të ndryshme të rezistencës kundër Serbisë për Pavarësinë e Kosovës.”

Organizatorët e marshit protestues iu bënë thirrje deputetëve të Kosovës, përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme si dhe qytetarëve, që t’i bashkohen nesër marshit, duke kërkuar të drejtat e familjarëve të dëshmorëve të paraluftës. Sipas komisionit të familjarëve të dëshmorëve, janë rreth 150 dëshmorë, të cilët kanë rënë në forma dhe periudha të ndryshme.
 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/neser-ne-proteste-familjaret-e-te-reneve-para-luftes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala