Nesër Kryesia e Kuvendit, Specialja s’është në rend të ditës

Nesër mblidhet Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në të cilën pritet të përcaktohet rendi i ditës për seancën e rregullt të legjislativit. Por, Koha.net merr vesh se nuk është në rend të ditës edhe shqyrtimi i amendamenteve kushtetuese, si parakusht për miratimin e Projektligjit për Gjykatën Speciale shumë të përfolur.
Megjithatë nuk përjashtohet mundësia që kjo pikë të përfshihet në rendin e ditës së seancës me kërkesën e ndonjë grupi parlamentar.
Koha. net ka siguruar rendin e ditës të Kryesisë, në bazë të të cilit anëtarët e saj përcaktojnë rendin e ditës së seancës së Kuvendit.
R e n d i d i t ë s:
1. Miratimi i procesverbalit nga mbledhja e mëparshme;
2. Përgatitjet për seancë plenare;
1. Koha për deklarime jashtë rendit të ditës;
2. Koha për pyetje parlamentare;
3. Interpelanca e Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi lidhur me procesin e demarkacionit të kufirit në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi;
4. Shqyrtimi i Rekomandimit të Komisionit të posaçëm për zgjedhjen e dy gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës;
5. Zgjedhja e Avokatit të Popullit;
6. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për patenta;
7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për markat tregtare;
8. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për rregullimin e shërbimeve të ujit;
9. Shqyrtimi i Propozim-vendimit të Ministrisë së Drejtësisë për formimin e Komisionit për dhënien e provimit të jurisprudencës;
10. Emërimi i anëtarit në Këshillin Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës;
11. Shqyrtimi i Raportit vjetor për gjendjen në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës për vitin 2014;
12. Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës.
Pastaj:
Shqyrtimi i propozimeve, kërkesave dhe njoftimeve:
1. Kërkesa e deputetes Albulena Haxhiu, e mbështetur nga 15 deputetë nënshkrues, për debat parlamentar lidhur me veprimtarinë e misionit të BE-së në Republikën e Kosovës,
2. Kërkesa e Komisionit për zhvillim ekonomik, infrastrukturë, tregti dhe industri për shtyrjen e afatit për shqyrtimin e Projektligjit për Digjitalizimin e transmetimeve radio-difuzive tokësore,
3. Njoftimi i Komisionit për Integrime Evropiane lidhur me vizitën zyrtare të realizuar në Letoni, prej 31 maj deri me 2 qershor 2015.
Qeveria, siç ka informuar edhe Koha.net, ditë më parë ia ka dërguar Kuvendit për informim Projektligjin për dhomat e specializuara të Gjykatës për Krime Lufte të UÇK-së, meqë Projektligjin për Specialen nuk mund ta procedojë para se të miratohen ndryshimet kushtetuese që lidhen me të.