Nesër dita më e nxehtë e javës – 32 gradë celsius

Vala e të nxehtit që ka përshkuar këto ditë vendin tonë do të vazhdojë edhe në ditët në vazhdim. Nesër (e mërkurë) do të jetë dita më e nxehtë e kësaj jave, ku temperaturat pritet të arrijnë deri në 32 gradë celsius.
Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka thënë për Indeksonline se këto temperatura në stinën në të cilën jemi janë normale.
Ai ka thënë se këto temperatura gjatë javës nuk do të pësojnë ndonjë rënie drastike.
“Këto temperatura që janë paraparë të jenë deri në 32 gradë nuk do të pësojnë rënie drastike, diferenca e uljes së temperaturave do të jetë mes 4-5 gradë gjë që është normale dhe kjo do të bëhet për shkak të reshjeve që do të bien”, ka thënë Aliu.
Aliu më pas ka theksuar se të enjten temperaturat do të bien , dhe do të jetë një përkeqësim i motit.
“Të enjten vende-vende do të ketë reshje shiu, ndërkaq edhe gjatë fund javës pritet të ketë reshje. Temperaturat maksimale do të zbresin deri në 22-23 gradë celsius”, është shprehur Aliu.
Ndërkaq edhe në fillim të javës tjetër pritet që temperaturat të jenë të njëjta.