Nervozohet SBASHK-u, paralajmëron grevë

Është bërë e zakonshme që muajt e parë të fillimvitit shkollor të përcillen me grevë.
Përveç pakënaqësive që kishin mësimdhënësit, arsye që çoi në këtë vendim është edhe fakti se ata nuk u morën parasysh nga zyrtarët institucional, raporton KTV.
Kësaj radhe i dhanë afat 1 muaj qeverisë, por që rezultoi pa sukses, për çka sindikalistët nuk do të rrinë duarkryq.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, thotë se mësimdhënësit mund të negociojnë për kërkesat tjera, por janë të vendosur që të mos lëshojnë pe kur bëhet fjalë për njohjen e kontributit në vitet e 90-ta.
Për këtë çështje, Ministria e Punës thotë të presin listat nga Ministria e Arsimit, derisa sindikalistët këmbëngulin se për të zbatuar ligjin për skemat pensionale nuk ka nevojë për këto lista.
Zyrtarja Begaj Balaj ka treguar se për këtë çështje Qeveria e Kosovës në maj të 2008-ës kishte marrë një vendim, i cili e obligonte Ministrinë e Arsimit që të hartojë një raport të detajuar.
I kontaktuar nga KTV-ja, Alush Istogu nga Ministria e Arsimit ka thënë se e kanë përfunduar vite më parë këtë proces dhe se i kanë dorëzuar listat, por nëse ka nevojë ata do të bashkëpunojnë prapë me Ministrinë e Punës.