Nepal, deri tani mbi 3000 të vdekur (Foto)

Mijëra qytetarë kanë kaluar natën e dytë në tenda, pasi shtëpitë e tyre janë carë nga tërmeti rrezja e të cilit lëkundi tokën në veri dhe veriperëndim të vendit, përfshi edhe kryeqytetin Katmandu.
“Ne nuk kemi zgjedhje tjetër përpos të flemë në tenda, pasi shtëpitë janë çarë dhe frikësohemi se do të na zënë muret”, tha Rabi Shrestha, një tregtar 34-vjeçar, i cili kishte vendosur të kalojë natën në rrugë së bashku me familjen e tij.
Misionet e shpëtimit dhe të ndihmës humanitare nga disa vende të botës kanë mësyrë Nepalin, për ta ndihmuar të përballet me pasojat e tërmetit më të keq për më shumë se 80 vjet.
Edhe rrugët në drejtim të epiqendrës së tërmetit, në veriperëndim të kryeqytetit, gjithashtu janë pastruar dhe ekipet e shpëtimit janë në terren për të kërkuar të mbijetuarit e mundshëm.
Përpjekjet për të nxjerrë viktimat e zënë nën rrënojat e ndërtesave të rrënuara në Katmandu janë gjithashtu duke vazhduar, edhe pse sipas Reuters, ekipet e shpëtimit ishin shumë të lodhur nga puna pa ndërprerë që prej dy ditësh.
Numri i viktimave mund të shtohet
Ndërkohë, zyrtarët kanë paralajmëruar se numri i viktimave të shkaktuara nga tërmeti mund të rritet pasi ekipet e shpëtimit të arrijnë në zonat e largëta malore në Nepalin perëndimor.
Sipas raporteve fillestare shumë komunitete, veçanërisht ato që ndodhen afër maleve, kanë pësuar dëme të mëdha nga tërmeti. Një burrë i evakuuar me helikopter në Pokhara, 200 kilometra larg nga Katmandu, tha për BBC se pothuajse të gjitha shtëpitë, rreth 1000 sosh sa janë në fshatin e tij, ishin shkatërruar.
Paniku është ringjallur
Paniku është ringjallura pasi të dielën edhe një termet tjetër i magnitudës 6.7 shkallë të Rihterit, tronditi Nepalin, Indinë dhe Bangladeshin, dhe si pasojë shumë ortekë të tjerë u raportuan pranë maleve Everest.
Rreth 60 kilometra në lindje të kryeqytetit Katmandu, mijëra njerëz vrapuan në terren të hapur, pasi orteku solli shtëpi me vete, të cilat ishin shkatërruar nga tërmeti i parë.
Jashtë spitaleve u nxorën edhe pacientët, dhe trajtimi i tyre vazhdoi në fushë të hapur nga frika se ndonjë termet tjetër do t’i zinte brenda mureve të çarë nga dy tërmetet paraprake.
Mali Everest, ende nuk dihet çfarë ka ndodhur
Moti është kthjellur të hënën në mëngjes dhe helikopterë janë nisur drejt kampit në Malin Everest, në përpjekje për të sjellë poshtë alpinistët që kanë shpëtuar, që mendohet të jenë 210 prej tyre të bllokuar nga orteku që e shkaktoi termeti.
Alpinistë të huaj u përfshinë papritur nga një ortek i madh që varrosi një pjesë të kampit të tyre. Të paktën 18 veta u vranë dhe 60 të tjerë mbetën të plagosur, pro shumë të tjerë konsiderohen ende të humbur.
Punëtorët e shpëtimit kanë thënë se alpinistë bllokuar në Everest nuk kanë qenë në gjendje për të shfrytëzuar litarët, pasi janë shkatërruar nga ortekët. Ndërsa ministri i Turizmit, Deepak Chanda Amatya, ka thënë se deri më tani më shumë se 50 alpinistë janë shpëtuar dhe nxjerrë nga vendi që u godit nga orteku.
Oferta e ndihma për Nepalin kanë ardhur në nga e gjithë bota. Disa ekipe të huaja kanë mbërritur tashmë dhe janë duke ndihmuar për të kërkuar të mbijetuarit, ndërkohë që disa milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë humanitare, pasi vendit po i mbaron uji i pijshëm dhe ushqimi, dhe ka ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike. /lajmi.net/