Nëntë policë të Kosovës nën hetime për seks me dy vajza, 14 dhe 15 vjeçare

Autori:Avdyl Pajaziti

Nëntë zyrtarë të Policisë së Suharekës po hetohen se kanë gisht në skandalin e dyshuar të abuzimit seksual me dy vajza të mitura, njëra 14 e tjetra 15 vjeçe. Njëri dyshohet për “Abuzim seksual”, disa për “Fshehje të të bëmave të kolegut” e një është suspenduar për “Ushtrim të ndikimit tek viktima”. Ndërkohë, lista e të dyshuarve mund të zgjatet,

Dy vajza të mitura dyshohet se po abuzoheshin seksualisht nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës në kohën kur familjet kishin kërkuar nga Policia që t’i gjente ato, pasi i kishin raportuar për të zhdukura.

Rreth këtij skandali, Inspektorati Policor i Kosovës është duke hetuar së paku nëntë policë. Ndonjëri prej tyre dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me 14 dhe 15 vjeçaren, ndonjë tjetër se e ka ditur për këtë veprimtari të paligjshme dhe të tjerë se janë munduar të ndikojnë tek viktimat, në mënyrë që të miturat të mos raportonin për abuzimin e tyre seksual në disa motele në Suharekë dhe përreth.

Siç tregojnë për “Zërin” burime pranë Hetuesisë, e tërë ngjarja ka nisur më 9 qershor kur Nita (emri i ndryshuar nga redaksia), 14 vjeçe, me prejardhje nga një fshat malor i komunës së Suharekës, ishte raportuar si e zhdukur nga gjyshja e saj. 58 vjeçares i kishte ardhur mbesa nga Italia për pushime dhe e njëjta për një javë nuk ishte kthyer në shtëpi.

Nita është gjetur gati një javë pas lajmërimit të Policisë për zhdukjen e saj. Saktësisht, më 16 qershor e mitura është gjetur në motel “Flamuri”, në Grejkoc të Suharekës. Në momentin e gjetjes ajo kishte qenë e shoqëruar nga një mashkull nga po i njëjti fshat.

Vajza ishte marrë në pyetje nga Policia dhe kishte treguar për “aktivitetet” e asaj jave. Ajo kishte treguar se ka pasur marrëdhënie seksuale me dia persona në mesin e të cilëve edhe me rreshterin e Policisë së Kosovës Sh.S., 38 vjeçar.

Nita kishte treguar se gjatë aktiviteteve të saj kishte pasur edhe shoqe. Në mesin e tyre kishte qenë edhe në 15 vjece nga një fshat tjetër, gjithashtu i komunës së Suharekës. Edhe kjo është gjetur nga Policia ditën e njëjtë në vila “Aroma” që gjendet në fshatin Reshtan të po kësaj komune.

Dy të miturat kanë dhënë ndaras deklarata në Polici, ndërsa e përbashkëta e deklaratës së tyre është një person – rreshteri SH.S. (Zëri)

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/nente-police-te-kosoves-nen-hetime-per-seks-me-dy-vajza-14-dhe-15-vjecare/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala