Nënshkruhet marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi

Autori:Gazeta Fjala

Republika e Kosovës ka përmbyllur sot procesin e demarkacionit edhe me Malin e Zi, pasi që nënshkroi në Vjenë Marrëveshjen për Kufirin Shtetëror.

Marrëveshjen e kanë nënshkruar, për palën kosovare, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i Brendshëm, Skender Hyseni, ndërsa për palën malazeze, zëvedëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Igor Llukshiq, dhe ministri i Brendshëm, Rashko Konjeviq.

Dëshmitarë të nënshkrimit ishin kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kryetari i Malit të Zi, FillipVujanoviq, si dhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, pas nënshkrimit të marrëveshjes përsëriti se marrëveshja është në “përputhje të plotë me Kushtetutën e vitit 1974, Dokumentin e Presidentit Ahtisaari dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

Kjo është një ditë e rëndësishme për Kosovën, për Malin e Zi por edhe për tërë rajonin, që dëshmon se rajoni ka hyrë në një periudhë të bashkëpunimit dhe po ecën sigurt në rrugën e integrimeve euro-atlantike.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Igor Llukshiq, u shpreh se marrëveshja është shembull për rajonin dhe vlerësoi se është bërë në prag të Samitit të Vjenës, si konfirmim se rajoni është i përkushtuar në procesin e integrimit në BE dhe NATO.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Thaci nënvizoi se Kosova tanimë ka përmbyllur procesin e demarkacionit të kufirit me Shqipërinë, Maqedoninë dhe tani edhe me Malin e Zi dhe shprehu shpresën se së shpejti do të përmbyllet edhe me Serbinë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/nenshkruhet-marreveshja-per-demarkacionin-me-malin-e-zi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala