Në tre vjetët e ardhshme: Rritja ekonomike 4,4%, kurse e të hyrave 20%

Autori:Avdyl Pajaziti

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar kornizën afatmesme të shpenzimeve për periudhën 2016-2018, me të cilën parashihet që në tri vitet e ardhshme rritja ekonomike të jetë 4,4 për qind, ndërsa të hyrat e përgjithshme të rritën për 20 për qind krahasuar me vitin 2014.

Po ashtu, Qeveria ka miratuar edhe raportin tremujor të buxhetit për vitin 2015, sipas të cilit shpenzimet janë ulur për 13 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014.

Pas mbledhjes së Qeverisë, ministri i Financave, Avdullah Hoti tha se korniza afatmesme e shpenzimeve për periudhën 2016-2018 i vendos kufijtë buxhetorë dhe kufijtë e të hyrave për këtë periudhë.

“Është e rëndësisë së veçantë pasi pothuaj plotësisht i akomodon objektivat që ka kjo Qeveri për tri vitet e ardhshme, të prezantuara në Programin qeverisës, që është dorëzuar pak më herët edhe në Kuvendin e Kosovës. Ne parashohim që rritja ekonomike do të jetë bukur më e lartë sesa në dy apo tri vitet e fundit. Ne presim që rritja të jetë 4,4 për qind në tri vitet e ardhshme me tendencë që të bëjmë progres të mjaftueshëm në disa prej projekteve. Tek të hyrat e përgjithshme ato do të rriten mesatarisht me 20 për qind krahasuar me të hyrat e vitit 2014, ndërsa shpenzimet do të rriten me 19 për qind, prapë krahasuar me vitin 2014”, tha Hoti.

Ai tha se kjo rritje ekonomike do të mundësojë investime, si në Brezovicë, ndërtimin e kapaciteteve të reja në energjetikë, bujqësi, e tjera. Po ashtu Hoti tha se korniza mundëson edhe transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura dhe financimin e kategorive tjera të veçanta.
“Korniza mundëson edhe zbatimin e Kontratës kolektive; mundëson transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës. Korniza mundëson vazhdimin e financimit dhe mbështetjes së kategorive të veçanta, siç janë ish-të përndjekurit, të burgosurit politikë, veteranët e luftës dhe kategoritë e tjera. Do të vazhdojmë me zgjerimin e skemës sociale për të mundësuar implementimin e plotë të ligjeve specifike. Do të vazhdojmë të mbështesim rendin, sigurinë dhe organet që merren me këto detyra. Dhe do të t’i theksojmë reformat në arsim, shëndetësi dhe në administratën publike”, theksoi ai.

Kabineti qeveritar ka miratuar sot edhe raportin tremujor të buxhetit për vitin 2015, sipas të cilit, siç u shpreh ministri Hoti, në saje të masave që janë marrë kanë arritur t’i ulin shpenzimet për 13 për qind në këtë tre mujor të vitit 2015.

“Unë me kënaqësi e them që për shkak të masave që kemi ndërmarrë në javët e para të janarit ne kemi arritur që shpenzimet t’i zvogëlojmë për 13 për qind gjatë kësaj periudhe në krahasim me periudhën e njëjtë të viti 2014… Mendoj se është një sukses i jashtëzakonshëm i Qeverisë në muajt e parë të qeverisjes shkurtimi i këtyre shpenzimeve, ndërkohë që nuk është prekur fare kualiteti i shërbimeve publike që ofrojmë si qeveri. Përkundrazi, në disa sektorë është rritur duke bërë planifikim me të mirë dhe shpenzim me adekuatë”, tha Hoti.

Ministri i Financave tha se të gjitha organizatave buxhetore u ka kërkuar raport për tremujorin e parë të këtij viti dhe tashmë edhe Dogana edhe ATK-ja kanë sjellë raportin, i cili ka rezultuar se vetëm 1 për qind ka ngritje të të hyrave në dogana në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2014.

Qeveria në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe një serë vendimesh, projektligjesh dhe raportesh. Ndërkaq, propozim-vendimi për emërimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtarë të Shkencës është shtyrë për mbledhjen e radhës, meqë Lista Serbe kërkoi që në këtë Këshill të ketë edhe përfaqësues serbë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ne-tre-vjetet-e-ardhshme-rritja-ekonomike-44-kurse-e-te-hyrave-20/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala