Në Shqipëri 150 mijë të sëmurë nga diabetit

Autori:Avdyl Pajaziti

Në Shqipëri rreth 150 mijë persona vuajnë nga diabeti. Të dhënat e kontrollit shëndetësor bazë për moshat 40-65 kanë zbuluar se diabeti është një nga sëmundjet më të përhapura në Shqipëri.

Në konferencën “Aksesi universal në shërbime dhe mjekësia e familjes, sëmundjet kronike në fokus”, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, u shpreh se nga kontrolli falas është zbuluar një numër i lartë personash që vuajnë nga sëmundje për të cilat nuk kishin informacion. “4% e personave që kanë bërë kontrollin rezultojnë me diabet dhe nuk e dinë.

Nëse ky 4% ka dalë nga grupmosha 40-65 vjeç, do të thotë që është dhe më e madhe përqindja e personave në Shqipëri që janë me diabet dhe nuk e dinë që janë me diabet, transmeton Shqiptarja.

Ndërkohë, 12,5% e personave që kanë bërë kontrollin, vlerësohen si paradiabetikë. Rreth 18% nuk e dinë që janë me hipertension. Na rezulton gjithashtu, se 35% e njerëzve e dinë që janë me hipertension, por në ditën e kontrollit të kanë rezultuar prapë në gjendjen e kësaj sëmundje, që do të thotë, nuk mjekohen siç duhet”, – u shpreh Beqaj.

Sëmundjet
Pjesa më e madhe grupmoshave 40-65 vjeç vuajnë nga më shumë se një sëmundje. “Nga të sëmurët që kemi ne sot të diagnostikuar me diabet, vëmë re se 30% e pacientëve me sëmundje të syrit, janë diabetikë. 30% e atyre që kanë sëmundje të veshkës dhe që bëjnë hemodializë, janë diabetikë. 30% e atyre që vuajnë nga hipertensioni, janë diabetikë, që do të thotë, kemi tashmë në rastet e këtyre sëmundjeve, disa sëmundje kronike bashkë”, – theksoi Beqaj. Sipas Ministrit të Shëndetësisë shpenzimet mesatare vjetore vetëm për barnat e rimbursueshme të të sëmurëve me diabet, janë rreth 30 mijë lekë në vit, ndërkohë që një kontroll bazë, kushton me gjithë tatimin mbi vlerën e shtuar 1845 lekë.

Falë kontrollit falas për grupmoshat 40-65 vjeç është bërë e mundur gjithashtu që të ulet edhe kostoja e këtyre sëmundjeve, kryesisht diabetit. “Nga 16 kontrolle që bëjmë ne, janë sa kostoja vjetore vetëm për barnat e rimbursueshme për sëmundjen e diabetit. Do të thotë që e zbulojmë hershëm dhe përpiqemi ta shtyjmë, – pra, ai 30 mijë lekësh do të kursehet, por edhe sëmundja e syve, sëmundja e veshkave, hipertensionin, që kanë edhe ato koston e vetë ekonomike dhe sociale, do t’i shtyjmë në kohë”, – përmendi Ministri i Shëndetësisë.

Plani
Sipas Beqajt duhet të shtohet mundësia që mjekët e familjes, të punojnë sa më të pavarur me rezultatet e kontrollit për qytetarët që ata trajtojnë. Madje ai bëri të ditur se nga muaji prill mjekët do pajisen me kompjuter për recent elektronike. “Brenda pranverës së ardhshme, do ta ofrojmë për çdo mjek në kujdesin shëndetësor parësor, sepse Fondi (FSDKSH) brenda vitit, do të jetë në gjendje t’i ofrojë çdo mjeku një kompjuter portabël, një printer dhe një lidhje Interneti për nevoja të recetës elektronike, por tashmë që do t’i kemi këto pajisje, keni aksesin tuaj në Internet, të mos ju duhet të shkoni ta bëni me kohë pritjeje, me grafik, tek kabineti i Check-Up-it, por ta bëni gjithsecili në zyrën tuaj”, – u shpreh Beqaj.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ne-shqiperi-150-mije-te-semure-nga-diabetit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala