Në rajonin e Prishtinës 17 mijë punëkërkues

Autori:Avdyl Pajaziti

Prishtina dhe 4 komuna të rajonit të saj brenda periudhës 8 mujore kanë regjistruar 17 mijë punëkërkues.

Papunësia ka prekur edhe mjekët. Nuk janë pa punë vetëm ata që janë pa shkollë. Punë po kërkojnë edhe ata me titullin “doktor”. Një femër me “titull” PhD është regjistruar në Zyrën e punësimit si e papunë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kështu shkruan në përgjigjet e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale ,dërguar “Kohës Ditore” për pesë komunat: Prishtinë, Podujevë, Fushë-Kosovë, Obiliq e Graçanicë. Kur u është kërkuar sqarimi se cilës komunë i takon personi me titull doktor, zyrtarët e MPMS-së kanë nisur verifikimin e informatës së vetë.

E kanë vërtetuar se nuk bëhet fjalë për titullin akademik të doktorit (PhD), por për një specialiste të stomatologjisë që i takon Komunës së Prishtinës, e që nuk është as gradë e masterit (MA). Por, është regjistruar si PhD, pasi ajo u ka thënë se është doktoreshë kur është regjistruar si e papunë në Zyrën e punësimit të Prishtinës.

Megjithatë, numri i të papunëve me gradën MA nuk është i vogël. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, prej janarit të këtij viti e deri në fillim të muajit nëntor janë 79 veta me këtë gradë që janë regjistruar si të papunë në pesë komunat e sipërpërmendura.

Më së shumti të papunë janë regjistruar në Komunën e Prishtinës, e pasuar nga Podujeva, pastaj Fushë-Kosova, Obiliqi dhe në fund Graçanica.

Numri total i këtyre punëkërkuesve është 17 mijë..

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ne-rajonin-e-prishtines-17-mije-punekerkues/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala