Në qoftë se nuk je VV, nuk ke vend në Komunën e Prishtinës

Autori:Avdyl Pajaziti

Për t’u punësuar në Komunën e Prishtinës nevojitet librezë partiake që e ka vulën Lëvizja “Vetëvendosje”. Në dy konkurset e fundit, që janë shpallur nga Komuna, kandidatët më të mirë në mesin e dhjetëra garuesve kanë dalë të jenë pjesëtarët e Lëvizjes “Vetëvendosje”.

Zyrtar i lartë për arsimin e mesëm të lartë, në kuadër te Drejtorisë së Arsimit, është përzgjedhur anëtari i LVV-së, Hajzer Idrizi. Ai ka qenë kandidat për kryetar të Klinës në zgjedhjet lokale të vitit 2013, ku kishte arritur të marrë rreth 600 vota.

Rezultati për përzgjedhjen e tij është bërë i ditur më 24 qershor në uebfaqen e Komunës së Prishtinës. Konkursi është realizuar pas pesë muajve, pasi që ai ishte shpallur më 27 janar 2015 për të dytën herë, ngase herën e parë kishte dështuar në mungesë të kandidatëve të suksesshëm.

Të njëjtën ditë, më 24 qershor, Komuna e ka shpallur edhe rezultatin e konkursit “Zyrtar i lartë për planifikim dhe zhvillim”, në kuadër të Drejtorisë së Urbanizmit.

Në këtë pozitë është përzgjedhur pjesëtari i LVV-së, Arber Hamidi, i cili po ashtu ka qenë i punësuar në Komunë, me kontrate mbi vepër, shkruan Zeri. Ish-kandidati për kryetar të Klinës, Hajzer Idrizi, nuk ka dashur të japë asnjë shpjegim lidhur me atë nëse i ka plotësuar kushtet të cilat janë kërkuar me konkurs.

“Nuk mund t’u them asgjë. Për këto gjera bisedoni me Komunën e Prishtinës”, ka thënë Idrizi.

Asnjë sqarim nuk kanë dashur ta japin as në Komunën e Prishtinës lidhur me dy punësimet e fundit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ne-qofte-se-nuk-je-vv-nuk-ke-vend-ne-komunen-e-prishtines/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala