Në Pejë u lëshuan 503 diploma fakulteti false (Dokument)

Autori:Avdyl Pajaziti

Prokuroria Themelore e Pejës është duke e hetuar një megaskandal me diploma false në Fakultetin e Shkencave të Aplikuara të Biznesit në Pejë, ku sipas rektoratit të këtij të fundit, nga 505 studentë, 503 nuk figurojnë në arkivat e tyre të kenë qenë ndonjëherë studentë të këtyre institucioneve.

Fakulteti i Shkencave të Aplikuara të Biznesit më herët ka funksionuar në kuadër të Universitetit të Prishtinës, ndërsa pak vite më parë është pavarësuar dhe ka marrë emrin Universiteti “Haxhi Zeka” – Pejë.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të cilën ka arritur ta sigurojë gazeta “Zëri”, mësohet se zyrtarë të lartë të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), profesorë universitarë, menaxherë të lartë të kompanive publike e private, kanë marrë diploma të këtij Fakulteti, ndonëse nuk ka qenë të regjistruar si studentë e as që kanë ndjekur ligjëratat ndonjëherë.

Pavarësisht se zyrtarë të lartë ligjorë të Universitetit të Pejës e konfirmojnë se vite më parë janë lëshuar qindra diploma të falsifikuara, disa nga të apostrofuarit në listën e Prokurorisë, të kontaktuar nga gazeta “Zëri” e mohojnë të kenë qenë ndonjëherë në këtë fakultet.
Më herët pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria, Gjykata Komunale e Pejës pati shpallur fajtorë 35 zyrtarë të këtij fakulteti nën dyshimin se janë të përfshirë në lëshimin e diplomave false në periudhën mes viteve 1999 deri 2004.

“Shefat” me diploma false

Sipas kësaj dosje prej 13 faqesh të Prokurorisë, gazeta “Zëri” ka arritur t’i identifikojë disa emra të personave që ushtrojnë funksione të larta në institucione shtetërore, por që janë pajisur me diploma të këtij fakulteti publik, pa qenë ndonjëherë student.

Prokuroria dyshon se Ujkan Qazim Bajra në vitin 2002 ka marrë diplomë të Fakultetit të Shkencave të Aplikuara të Biznesit në Pejë, ndonëse në arkivat e Fakultetit është gjetur vetëm diploma e tij e gjimnazit. Mirëpo, Bajra, i cili është anëtar i Universitetit Publik “Haxhi Zeka” dhe drejtor i auditimit në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), mohon për gazetën “Zëri” të ketë diplomë nga Universiteti i Pejës, pavarësisht se në listat e Prokurorisë figuron emri i tij.

“Kurrë s’kam qenë student në Universitetin e Pejës. Unë fakultetin e kam regjistruar dhe e kam mbaruar në Prishtinë. Madje diplomat e mia janë nostrifikuar nga Ministria e Arsimit pasi tashmë jam kandidat për doktoratë në Lubjanë të Sllovenisë”, ka pohuar Bajra për gazetën, duke shtuar se për këtë çështje kurrë nuk është kontaktuar as nga Prokuroria.

“Nuk është e mundur. Unë madje kam qenë top student”, është shprehur ai.

Në këtë listë të Prokurorisë figuron edhe Bashkim Xhevat Nurboja, prorektor në Universitetin Publik “Haxhi Zeka”. Në arkivat e Universitetit, Nurbojës i figuron ta ketë vetëm diplomën e shkollës së mesme. I kontaktuar nga gazeta “Zëri”, edhe Nurboja thotë se për herë të parë po dëgjon për këtë çështje.

“Unë kam qenë student i dalluar në Fakultetin e Shkencave të Aplikuara të Biznesit në Pejë. Pastaj kam vazhduar masterin në Angli dhe aktualisht po i vazhdoj studimet e doktoratës në Slloveni”, ka pohuar ai për gazetën “Zëri”.

Kryeshefi i ri i Postë-Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, në regjistrat e Prokurorisë figuron të ketë diplomuar më 24 maj të vitit 2000, përderisa në regjistrat e Universitetit nuk gjendet dosja e tij të ketë qenë student. Më vonë Mustafa ka kryer edhe studimet pasdiplomike.

Gazeta “Zëri” i ka dërguar pyetje zyrtare Postë-Telekomit të Kosovës (PTK) rreth çështjes së diplomës së kryeshefit Mustafa, për të cilën ka ngritur dyshime Prokuroria, por ata nuk janë përgjigjur në pyetjet e dërguara.

Drejtuesit e “Haxhi Zekës” konfirmojnë dosjen

Në anën tjetër, Kolë Krasniqi, dekan i Fakultetit Juridik dhe njëherësh përfaqësues ligjor i Universitetit Publik “Haxhi Zeka” në Pejë, ka thënë për gazetën “Zëri” se kohë më parë është hetuar ky rast, por, sipas tij, ai është penguar deri në kohën kur është parashkruar në mënyrë absolute, me ç’rast edhe janë shterur të gjitha mundësitë e ndjekjes penale.

“Më vonë është bërë parashkrimi absolut i të gjitha veprave penale. Prokurori me siguri për shkaqe të natyrave të ndryshme ka marrë një vendim të tillë. Ata nuk kanë bërë kërkesë që këto diploma t’i tërheqin nga qarkullimi, pasi që në mesin e tyre ka edhe të afërm të prokurorëve”, thotë Krasniqi për gazetën “Zëri”.

Ai thotë se është ndier i habitur se në atë kohë Prokuroria nuk ka bërë ndonjë kërkesë tek Inspektorati i Ministrisë së Arsimit që të vlerësojë diplomat e tilla.

“Përderisa e ka konstatuar Prokuroria, ka mundur të kërkojë nga Gjykata që produkti i falsifikuar duhet të largohet nga qarkullimi juridik dhe atëherë ne ishim detyruar si Universitet që me një vendim të senatit t’i zhvlerësojmë të gjitha ato diploma që iu janë lëshuar personave që asnjëherë nuk kanë qenë studentë të fakultetit”, ka thënë ai.

Përfaqësuesi Juridik i Universiteti “Haxhi Zeka” thotë se para një jave i ka rënë në dorë dokumenti ku figurojnë emrat e më shumë se 500 personave që kanë marrë diplomat, pa u regjistruar dhe pa vijuar mësimet në këtë universitet publik.

“Si e kam siguruar këtë dokument, unë kam shkuar menjëherë në inspektorat. Gjatë të gjitha zhvillimeve të procedurave, asnjëherë nuk ka qenë i thirrur Universiteti. Këtu janë 500 persona, në mesin e tyre ka persona shumë të fuqishëm politikisht. Unë e kam kryer punën time, tash nuk është pune e imja se çka po ndodh”, ka thënë më tutje ai.

Edhe Fadil Govori, dekan i Fakultetit të Biznesit në Pejë, konfirmon për gazetën “Zëri” se para pak ditësh e kanë marrë një dokument nga Inspektorati, por, sipas tij, me këtë punë nuk duhet të merret Universiteti, por organet e hetuesisë.

“Prokuroria nuk e ka dërguar direkt te ne listën e personave që dyshohet se kanë marrë diplomat pa shkuar asnjëherë në universitet. Tash inspektorati i arsimit duhet të marrë masa për këtë çështje. Ata kanë kontaktuar me sekretarin e ky i fundit ma ka dërguar mua listën”, thotë për “Zërin” dekani Govori.

Burime të besueshme të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se ditëve të fundit edhe Njësia për Krime Ekonomike e Policisë së Kosovës është duke u marrë seriozisht me këtë çështje.

“Janë angazhuar hetuesit dhe shumë shpejt do të dalë në shesh e vërteta rreth personave që dyshohet se kanë falsifikuar diplomat e Universitetit Publik të Pejës”, tha burimi i besueshëm i gazetës “Zëri”.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ne-peje-u-leshuan-503-diploma-fakulteti-false-dokument/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala