Në pamundësi për t’i ndaluar protestuesit policia arrestoi qytetarë kafiterive të Prishtinës (Video)

Autori:Gazeta Fjala

Policia e Kosovës në protestën e fundit të opozitës, e pafuqishme për t’i arrestuar protestuesit e dhunshëm të opozitës, ka arrestuar qytetarë të pafajshëm, duke i kapur derisa qëndronin ulur kafiterive të kryeqytetit.

Viktimë e jo profesionalizmit të policisë ishin edhe tre qytetarë nga Rahoveci, të cilët u arrestuan në një kafiteri te nënkalimi në Prishtinë, larg zonës ku protestohej dhe pa qenë fare protestues.

Për më tepër, gjykata kompetente pa kurrfarë argumenti ka vendosur që ata t’i lë për 30 ditë prapa grilave.
Labinot Shulina, Amir Mullabazi dhe Rihard Cena, që të tre punëtor në kompaninë prodhuese të verës ‘SEFA WINE’ në Rahovec, ditën e protestës së opozitës, pas përfundimit të orarit të punës kishin ardhur në Prishtinë për ta rregulluar veturën e kompanisë, dhe në ndërkohë kishin ndaluar për kafe, në një zonë e cila nuk ishte pjesë e perimetrit të protestës.
Por për fatin e keq të tyre, policia në pamundësi për t’i arrestuar protestuesit e dhunshëm, kishte bërë arrestime edhe të personave që rrinin ulur nëpër kafiteri.
Argument për pretendimin e familjarëve të të arrestuarve është edhe një video e realizuar nga televizioni Rrokum. Aty shihet që në momentin e arrestimit të tre rahovecianët janë të ulur në tavolinën e kafiterisë, të mbushur me pije.
Sipas njërit prej udhëheqësve të kompanisë ‘SEFA WINE’, Blerim Shulina, vëllai i njërit prej të arrestuarve, ata u arrestuan pa asnjë arsye.
Në një prononcim për lajmi.net, Shulina thotë se ata kishin shkuar për të riparuar veturën e tyre dhe më pastaj ishin ndaluar për të pirë kafe.
“Ata kanë shkuar në Prishtinë për të rregulluar veturën, pastaj janë ndalur për të pirë kafe. Nuk kanë të bëjnë fare me protestën”, është shprehur Shulina, raporton lajmi.net
Blerimi, i cili është vëllai i Labinot Shulinës, njërit prej të arrestuarve së bashku me dy punëtorë të kompanisë, thotë se vëllai i tij është menaxher për kontrollimin e cilësisë, ndërsa dy punëtorët Amir Mullabazi dhe Rihard Cena janë punëtorë në sektorin e prodhimit. Rrjedhimisht, ata si biznes janë dëmtuar rëndë, pasi që puna e tyre ka stagnuar.
“Vëllai im Labinoti është menaxher i kontrollimit të cilësisë, ndërsa Amir Mullabazi dhe Rihard Cena janë punëtorë në sektorin e prodhimit. Ne jemi dëmtuar dhe kemi humbje në biznes, sepse tash fillon rritja e shitjeve. Ne jemi taksapagues të rregullt dhe kjo është e padrejtë, sepse ne kemi stagnuar si biznes momentalisht”, tregon më tutje Shulina.
Labinot Shulina, Amir Mullabazi dhe Rihard Cena, të tre qytetarë të Rahovecit, ishin arrestuar në njërën prej kafeneve të nënkalimit në lagjen Dardania.
Ajo që vihet më së shumti në pikëpyetje janë faktet se ata ishin duke pirë kafe, pa u përfshirë fare në protestë madje në një vend shumë larg vendit ku mbaheshin protestat.
Ndërkaq, atyre u është shqiptuar masa e paraburgimit për 30 ditë duke mos pasur sqarime të mëtutjeshme. Sipas Shulinës, këto janë informacionet e vetme që kanë, ndërsa seanca e radhës për ta pritet të mbahet pas datës 28 nëntor të këtij muaji.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ne-pamundesi-per-ti-ndaluar-protestuesit-policia-arrestoi-qytetare-kafiterive-te-prishtines-video/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala