Në New York, arena e përballjes për UNESCO në mes Kosovës dhe Serbisë

Autori:Avdyl Pajaziti

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe homologu i saj serb, Tomislav Nikoliç, po përdorin udhëtimin e tyre në OKB për të bërë fushatë për dhe kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

Krerët e dy shteteve, janë duke qëndruar në Nju Jork në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ndërsa në margjina të këtij zhvillimi, janë duke luftuar për kauzat e tyre ndaj aplikacionit të Kosovës krahun e OKB-së për arsim, shkencë e kulturë.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, është takuar me drejtoreshën e përgjithshme të UNESCO-s, Irina Bokova, me të cilën ka thënë se ka diskutuar për rëndësinë e bashkëpunimit dhe përgjegjësinë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë.

Ndërsa në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, presidenti serb Tomislav Nikoliç kritikoi idenë e Kosovës për t’iu bashkuar krahut kulturor të Organizatës Kombeve të Bashkuara, UNESCO, dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të bëjë më shumë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore serbe në ish-provincën serbe, raporton Kallxo.com.

“Nëse kjo kërkesë pranohet, kjo do të krijojë precedent. Ajo mund të legjitimojnë dhunën ndaj identitetit kombëtar, kulturor dhe fetar të çdo kombi në botë”, tha Nikoliç në fjalimin e tij në OKB.

Më 30 shtator, në një takim të veçantë me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon, Nikoliç tha shkatërrimi i trashëgimisë kulturore serbe në Kosovë do të ishte një krim.

“Do të ishte një krim i madh nëse trashëgimia kulturore serbe në Kosovë dhe Rrafshi i Dukagjinit do të shkatërrohej. Kjo është arsyeja pse Serbia po investon aq shumë në parandalimin e anëtarësimit të të ashtuquajturës Republikë e Kosovës në UNESCO,” tha Nikoliç.

“Ne presim që trashëgimia kulturore serbe, e cila është trashëgimi kulturore e botës në të njëjtën kohë, të mbrohet,” shtoi Nikoliç.

Nikoliç i tha Irena Bokovas, Drejtoreshës së Përgjithshme të UNESCO-s, se kërkesa e Kosovës për t’u bashkuar UNESCO-s duhet të jetë pjesë e negociatave të vazhdueshme të BE-së midis Beogradit dhe Prishtinës.
Beogradi e shikon kërkesën e Prishtinës për t’iu bashkuar organizatës si një lëvizje për të marrë nën kontroll të plotë trashëgiminë kulturore serbe në Kosovë.

Shqipëria i ka paraqitur një kërkesë më 11 shtator Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s për ta vënë Kosovën në agjendën e sesionit të tij në tetor. Kërkesa u mbështet nga 44 shtete të tjera anëtare të UNESCO-s nga një total prej 195 shtetesh.

Serbia e kundërshton njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe shprehet se ajo ka dështuar në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe që prej përfundimit të luftës në vitin 1999.

Serbia e sheh Kosovën si djep i shtetit mesjetar serb. Shumë nga manastiret dhe kishat më të rëndësishme ortodokse serbe ndodhen atje, duke përfshirë kishat manastir të Graçanicës dhe Deçanit dhe kompleksi Patriarkal në Pejë.
Beogradi e akuzon Prishtinën se nuk ka mbrojtur si duhet dhe ka bashkëpunuar në shkatërrimin e disa vendeve.

Në trazirat etnike në të gjithë Kosovën, në mars të vitit 2004, 19 persona u vranë dhe më shumë se 800 ndërtesa u shkatërruan ose dëmtuan, duke përfshirë edhe 29 kisha dhe manastire, sipas një raporti të OSBE-së.

Gjykatat ndërkombëtare në Prishtinë që atëherë kanë dënuar disa njerëz për shkatërrimin e kishave ortodoks serbe, duke dhënë dënime që variojnë nga 21 muaj në 16 vjet burg.

Për t’u bërë anëtare e UNESCO-s, Kosova fillimisht ka nevojë për mbështetjen e këshillit të saj ekzekutiv. Këshilli më pas do të vendosë nëse konferenca e përgjithshme e UNESCO-s do të votojë për kërkesën e Kosovës gjatë sesionit të tij në nëntor. Kosovës i duhen dy të tretat e votave për t’u bërë anëtare e UNESCO-s.

Serbia nuk ka të drejtë vetoje ndaj anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe kjo e fundit do të jetë në gjendje t’i bashkohet UNESCO-s edhe pse nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. /Kallxo.com/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ne-new-york-arena-e-perballjes-per-unesco-ne-mes-kosoves-dhe-serbise/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala