Në Maqedoni u përgjuan edhe ndërkombëtarët

Autori:Gazeta Fjala

Një skandal i ri ka tronditur procesin e zgjidhjes së krizës politike në Maqedoni.

Gjatë tentimit për të zgjidhur krizën dhe aferën e përgjimeve, ka plasur një aferë e re përgjimesh, tani ndaj grupeve punuese në përbërje të partive dhe përfaqësuesve partiak, përcjell korrespodenti i Kohës Ditore.

Televizioni Alsat-M nga burime të saj ka mësuar se pjesëmarrësit në bisedimet politike në Klubin e Deputetëve në Shkup shprehin dyshime se hapësirat ku zhvillohen bisedimet, përgjohen dhe xhirohen nga pushteti.

Sipas këtyre burime edhe ndërmjetësi i deleguar nga Komisoni Evropian Piter Vanhautte ka reaguar ashpër disa ditë më parë, duke fajësuar përfaqësuesit e partisë maqedonase në pushtet për regjistrimin e paligjshëm të zyrave ku zhvillohen bisedimet. Televizioni Alsat M ka kontaktuar sot edhe ndërmjetësin Vanhautte për të konfirmuar këto burime, por deri në këtë moment, lajmi as është konfirmuar dhe as është mohuar.

Përfaqësuesit e partive në bisedime, nga ana tjetër, nuk e mohojnë përplasjen që ka pasur Vanhautte dhe përfaqësuesit e pushtetit për çështjen e përgjimit të mundshëm të Klubit të Deputetëve, por nuk dëshirojnë të japin komente shtesë.

Ajo që konfirmohet nga pjesëmarrësit, është se që nga fillimi i bisedimeve për zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinos, në Klubin e Deputetëve hasen fenomene të ndryshme të natyrës teknologjike. Para dy ditësh, për shembull, telefonat celularë të pjesëmarrësve në bisedime kanë qenë jo-funksionalë për shkak të problemeve me rrjetin, gjë që ka pamundësuar koordinimin e negociatorëve me krerët e partive të tyre, për rrjedhën e bisedimeve, transmeton Koha.net

Dyshimet për përgjimin e hapësirave të bisedimeve, sipas burimeve, kanë bërë që bisedat bilaterale mes disa partive dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë të zhvillohen në këmbë, duke ecur përgjatë kopshtit të Klubit të Deputetëve. Për të gjitha këto dyshime dhe indikacione, televizioni Alsat M tentoi të kontaktonte edhe përfaqësuesit e VMRO DPMNE-së në bisedime, por pa sukses deri tani.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ne-maqedoni-u-pergjuan-edhe-nderkombetaret/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala