Në Lipjan kabina e autobusëve ndërtohet me 150 euro, në Mitrovicë me 4 mijë e 750 euro (Video)

Autori:Avdyl Pajaziti

Banorët e fshatit Leletiq të komunës së Lipjanit janë organizuar dhe kanë ndërtuar kabinën pritëse të stacionit të autobusëve në fshatin e tyre.

Kryetari i këtij fshati Flamur Sylejmani thotë se banorët e kanë parë të nevojshme ta bëjnë këtë, pasi që nuk deshën të rrinin duke pritur komunën që të veprojë.

Banorët janë organizuar dhe kanë arritur që ta ndërtojnë kabinën pranë stacionit të autobusëve, dhe të gjitha punët janë kryer nga fshatarët dhe kabina ka kushtuar vetëm 150 euro.

“Banorët e fshatit e kanë parë shumë të nevojshme ndërtimin e një kabine pranë stacionit të autobusëve, dhe janë organizuar në mënyra të ndryshme, me të holla me material dhe kemi arritur me ndërtuar këtë kabinë pranë stacionit të autobusëve. Të gjitha të hollat janë grumbulluar nga fshatarët, puna është kryer prej fshatarëve dhe kabina ka kushtuar përafërsisht diku 150 euro”, tha Sylejmani.

Por në një komunë tjetër, ndërtimi i një kabine për pritjen e autobusëve ka kushtuar shumë më shtrenjtë.

Në Mitrovicë janë shpenzuar 9506 euro për ndërtimin e dy kabinave të tilla, shumë me të cilën do të mund të ndërtoheshin afër 60 kabina sipas çmimit të atyre në Leletiq

Këto kabina të vendosura në qendër të qytetit janë të ndërtuar nga hekuri dhe xhami. Një qytetar nga Mitrovica kishte raportuar ne KALLXO.com se afro 10 mijë euro Komuna ka paguar për dy kabina pritëse të autobusit.

KALLXO.com e ka konfirmuar këtë nga Zëdhënësi i Komunës së Mitrovicës Hysni Syla, i cili ka thënë se këto kabina i kanë kushtuar komunës 9506 euro.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ne-lipjan-kabina-e-autobuseve-ndertohet-me-150-euro-ne-mitrovice-me-4-mije-e-750-euro-video/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala