Në Gjilan trajnohen zejtarët

Autori:Gazeta Fjala

Ka nisur të enjten në Gjilan trajnimi dyditorë për bizneset sociale dhe zejtarët, projekt ky për “Valorizimin e tregtisë/zejeve tradicionale dhe potencialeve të ekonomisë sociale në Komunën e Çairit dhe atë të Gjilanit”, që mbështetet nga Zyra e Kryetarit të Komunës dhe Komisioni Europian.

Në këtë ngjarje ka marrë pjesë kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, drejtori për Zhvillim Ekonomik, Agim Zuzaku, përfaqësues të këtij projekti, përfaqësues të organizatës MDA, pastaj nga RDA dhe shoqëria civile.

Kryetari Haziri me këtë rast e ka falënderuar Komisionin Europian për mbnështetjen, ndërkaq ka theksuar se Komuna do të vazhdoj ta mbështes zhvillimin e zejeve, konkretisht bashkimin e tyre në një vend.

“Ju e  dini që Gjilani është përfitues i programit për bashkëpunim ndërkufitar me Komunën e Çairit dhe shtyllë apo kurriz e këtij programi është valorizimi dhe zejet tradicionale. Ky program është vetëm një hap që ne e kemi ndërmarrë me Komisionin Europian. Do të vazhdojmë ta mbështesim zhvillimin e zejeve, bashkimin e tyre në një vend, me subvencione e me mënyra tjera në mënyrë që ta zbusim problemin dhe ta ndihmojmë zhvillimin e këtij projekti, jashtëzakonisht të nevojshëm”, tha kryetari Haziri.

Kreu i Gjilanit pohoi se synim i tij dhe i Komunës është që të ndërtohet gjenerata e re e cila e siguron, e mban dhe e zhvillon këtë aktivitet.

“Kujdesi dhe ruajtja ndaj zejeve në këtë fazë për neve ka qenë i një rëndësie të veçantë.  Ne dëshirojmë që jo vetëm ndarje të eksperiencave, por edhe në mundësi për njerëzit që duan të hyjnë në këto profesione, që ta ndërtojmë gjeneratën tjetër e cila e siguron, e mban dhe zhvillon këtë aktivitet. Ju uroj dhe ju lus që të gjitha kërkesat t’i valorizoni në kuptimin e plotë të fjalës në mënyrë që të kemi mundësi ta kombinojmë programin e KE-së dhe buxhetin e Komunës sonë në mënyrë që ta zhvillojmë një hap më shumë”, është shprehur ai.

Drejtori për Zhvillim Ekonomik, Agim Zuzaku, tha se si Drejtori, do ta japin maksimumin në mbështetjen e këtij projekti, i cili do të krijoj kushte dhe mundësi më të mira për zejtarët e Gjilanit.

Në emër të zejtarëve ka folur orëpunuesi, Shyqyri Sahatçiu, i cili e ka falënderuar kryetarin Haziri dhe Komisionin Europian për ndihmën e dhënë zejatrëve, të cilët janë krenaria e Gjlanit.

Menaxherja e këtij projekti, Gëzime Idrizi, ka thënë se përfitues të granteve nga ky projekt do të jenë 20 biznese sociale dhe zeje tradicionale, ndërkaq kriteret i ka caktuar Komisioni Europian, sikurse edhe përzgjedhja që do të bëhet nga ana e tyre.

Në këtë trajnim u tha se kjo është një mundësi shumë e mirë për punën e bizneseve sociale, për avancimin e tyre dhe për përfitimin e përvojave të reja./ Gazeta Fjala

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ne-gjilan-trajnohen-zejtaret/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala