Ndryshon legjislacioni në Greqi, sekuestrim dhe burg për evazorët

Autori:Gazeta Fjala

Qeveria greke ka marrë masa të rrepta kundër evazionit fiskal. E gjendur nën presionin e vazhdueshëm të Bashkimit Europian dhe FMN, për vazhdimin e dorëzanisë prej kredidhënësve,dhe me parametra tragjik në indeksin e saj ekonomik, Athina ka përgatitur një ligj të ri kundër evazionit, i cili parashikon masa të rrepta kundër evazorëve. Ligji i ri iu imponua Athinës në këmbim të këstit të rradhës prej 2miliardë euro.

Sipas qeverisë,kushdo që nuk paguan TVSH në vlerë mbi 100.000 euro,do të dënohet me dy vjet burg,dhe do t’i sekuestrohet pasuria. Dënime të rrepta parashikohen edhe për personat ose kompanitë që nuk paguajnë sigurimet e punonjësve dhe tatimin e fitimit, ku gjobat në raste penaliteti,do të jenë të barabarta me falimentimin e këtyre kompanive.

Masa të rrepta parashikohen edhe për parandalimin e kontrabandës së cigareve dhe naftës, ku siç dihet, Greqia renditet e fundit në BE për nivelin e lartë të kontrabandës, i cili llogaritet në mbi 2miliardë euro në vit.

Ministria greke e Financës,thote se në ligjin e ri, goditen rëndë monopolet dhe hap tregun për konkurencën e lirë. Athina e ka gati edhe strategjinë e një task force,e cila në çdo moment mund të hyjë në zyrat e kompanive,madje edhe në banesat e krerëve të tyre, për të kryer kontrolle financiare, kjo është huazuar prej financës gjermane, ku agjentë të krimit ekonomik, hyjnë pa paralajmërim në zyrat e kompanive më të mëdha të vendit, dhe sekuestrojne çdo dokument që i ndihmon ata në luftën kundër krimit ekonomik.

Taksa të renda i vendosen edhe pasurive të pa tundeshme,sektorit më të goditur nga kriza greke. Kështu, janë llogaritur taksa mbi pronën e pa tundshme,dhe taksa për këdo që përfiton prej pasurisë së tij një qira.

Hiqet masa e pagesës me 100 këste për debitorët e shtetit,dhe vendosen rregulla të reja në mënyrën e vjeljes së taksave të prapambetura. Jashtë masave shtrënguese nuk mbetet edhe skema e pensioneve, për të cilat parashikohet rritja në dy vite të daljes së moshës së pensionit,heqjen e pensioneve të parakohshme, shkurtimin e të ardhurave nga pensionet mbi 1000 euro,dhe taksimin e mbi 1.6 milionë pensionistëve për shkak të ndryshimit të shkallës së të ardhurave personale.

Kalimi i këtij ligji në Parlamentin grek, ka sjellë reagime të ashpra në vend. Opozita akuzon qeverinë se po shkatërron ekonomikishte grekët dhe rëndon edhe më tej situatën ekonomike në vend. Largon edhe investitorët e huaj, të cilët nuk gjejnë asgjë tërheqëse në ekonominë e rrënuar të Greqisë.

Ndërkohë qeveria thotë se s’ka asnjë rrugë tjetër përveç implementimin e planit të kredidhënësve për shpëtimin e vendit./TCH

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ndryshon-legjislacioni-ne-greqi-sekuestrim-dhe-burg-per-evazoret/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala